Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës, ka dhënë një lajm të mirë për qytetarët të cilët e shohin teknologjinë si fushë për zhvillimin e tyre profesional.
Ajo ka thënë se do të ketë kodim falas për këdo mbi moshën 18 vjeçare brenda vitit në Prishtinë.
Thotë se kjo gjë po bëhet për herë të parë në Ballkan.
Ajo ka dhënë më shumë detaje për këtë projekt komunal, duke thënë se do të jetë falas.
Më poshtë postimi i saj me sqarime:
Kodim FALAS. Për këdo, mbi 18 vjeç. Brenda vitit në Prishtinë, për herë të parë në Ballkan!
(tekst i gjatë në vijim, por më besoni – ja vlen të lexohet)
Sot është një ditë e veçantë për Prishtinën, për Kosovën dhe për të gjithë super komunitetin aktual dhe të ardhshëm të teknologjisë. Me zemrën plot po e ndaj me ju lajmin se po e hapim kampusin e parë të rrjetit global të “shkollave 42” në zemër të Prishtinës! Shkollë e konceptit të veçantë, pa profesorë e kurse, pa diplomë e kualifikim paraprak, për moshat mbi 18 vjeç, tërësisht falas.
Po e nisim këtë udhëtim të jashtëzakonshëm me geekosova, me nënshkrimin e marrëveshjes së fundit, për fillimin e punimeve në hapësirën e zotuar prej 1000 m2 për kampusin më të ri të kodimit. Kjo hapësirë, me shërbime përcjellëse komunale si mbështetje, jo vetëm që do të jetë e gatshme të ofrojë mundësi për qindra studentë të marrin shkathtësitë e shumë kërkuara përmes një sistemi të dëshmuar globalisht, por edhe do të shërbejë si qendër inovacioni për ide të reja në të ardhmen.
Sipas Barometrit të Teknologjisë së Informacionit për vitet 2021-2022* të sapo publikuar nga STIKK, 75% e kompanive kanë raportuar se përballen me një deficit të fuqisë punëtore të kualifikuar. Nevojës së madhe të Kosovës për programerë të shkathët në treg duhet t’i përgjigjemi me zgjidhje konkrete, të shpejta dhe të qëndrueshme. Kushdo duhet të ketë mundësinë të provojë kodimin, pavarësisht moshës, përvojës dhe kushteve financiare. Nuk mjafton që lënda e kodimit të jetë lëndë zgjedhore në shkolla. Koncepti i rrjetit të “shkollave 42” do të i përgjigjet saktësisht kësaj nevoje.
Përgjatë vitit të fundit, prej që kemi fillu angazhimin në këtë drejtim, kemi dëgju shumë shpesh se planet për të sjellë konceptin e “shkollave 42” në Kosovë janë të shkëlqyera për t’u dëgju, por të vështira për t’u realizu. Partneriteti me geekosova është një shembull tipik se çfarë mund të arrihet kur shoqëria civile ofron projekte ideore të cilat i shërbejnë të mirës së përgjithshme shoqërore dhe institucionet publike, sikurse e kanë edhe përgjegjësi, ofrojnë mbështetjen e tyre dhe e bëjnë të mundshme.
Nuk kam sesi mos të shpreh edhe gëzimin tim personal për këtë projekt (siç edhe po mund t’a vëreni). Takimi me Taulantin dhe ekipin e tij ka qenë ndër takimet e mia të para me ardhjen time në Kryeqytet. Si ish-udhëheqëse e një kompanie të TIK në Kosovë dhe anëtare e zëshme e komunitetit për një dekadë, kam përjetuar çdo ditë nevojat për nisma të mëdha ku talenti dhe potenciali i të rejave e të rinjve të këtij vendi mbështetet e fuqizohet nga qeverisjet. Mundësia që sot t’a shtyej po këtë vizion, me ekip brenda institucionit, është përmbushje e madhe. Ne lëvizim, por hapja e “shkollës 42” në Prishtinë është trashëgimi për vendin.
42** është shtëpia e kampuseve më të mira të teknologjisë së informacionit në botë. Me një kurrikulë që është pa pagesë, promovimi i diversitetit, përdorimi i të mësuarit nga bashkëmoshatarët dhe një regjistrim pa ndonjë kërkesë paraprake e bën këtë koncept krejtsisht ndryshe nga çdo shkollë tjetër. Ka filluar me 42Paris në 2013 për të ekzistuar sot në 35 qytete të botës siç është Londra, Vjena, Berlini, Roma, Praga, Barcelona, Rio, Madridi, Lozana, Stambolli, Tokio e Bankoku.