Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Koha për ndëshkimin e Serbisë nga BE-ja/ Pas bojkotimit të referendumit në veri, kërkohet përjashtimi i Listës serbe nga lista e partive politike!

 
   

Të dielën me mbajtjen e referendumit për largimin e kryetarëve në veri të vendit, Kosova ka përmbushur detyrimin e BE-së ku kërkohej mbajtja e zgjedhjeve të reja në mënyrë që të largohen masat ndëshkuese.

Pas përmbushjes së detyrimit, Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje që të largohen masat.

 “Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Kosova ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

Por, Bashkimi Evropian siç duket ende nuk është i kënaqur, kjo pasi sipas tyre, rezultati i votimit nuk kontribuon shtendosjes së tensioneve  dhe nuk hap rrugën për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë rreth përmbushjes së kërkesave të BE-së”.

Stano ka shprehur keqardhjen se serbët e Kosovës në veri  kanë humbur mundësinë për të drejtën e tyre për të votuar, gjersa ka shtuar se rezultati nuk i kontribuon zbutjes së tensioneve.

“BE-ja shpreh keqardhje se serbët e Kosovës në veri të Kosovës kanë humbur mundësinë për të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët e komunave që do të ishin përfaqësues të vërtetë. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Zëdhënësi i BE-së tha se kërkesa , tha se përderisa ‘organizimi i votimeve për largimin e kryetarëve nuk ishte i pakushtëzuar, përfshirë risitë siç janë vendosja e kamerave të sigurisë ‘, procesi megjithatë tha ai ‘mundësoi organizimin e këtij votimi’’.

‘Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veriun që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për një bojkot rezultoi me një varg vështirësish, përfshirë edhe themelimin e disa komisioneve në vendvotime pa pjesëmarrjen e asnjë anëtari serb të Kosovës’, u shpreh Stano.

Analistët politikë thonë se masat ndëshkuese nuk do të largohen, gjersa kërkojnë që BE ta ndëshkojë Serbinë nëse nuk do që të bie hapur në sy për mos trajtim të barabartë të shteteve.

Burjani: Kosova dëshmoi seriozitet

 Image
 Blerim Burjani 
 

Analisti politik Blerim Burjani, thotë se Kosova ka dëshmuar seriozitet dhe gjendja tani është më e mirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojë.

Ka dëshmuar seriozitet, por më herët është akuzuar që ka nxitur daljen e serbëve nga institucionet. Tani është më mirë gjendja dhe në favor të Kosovës, sa do të shfrytëzohet kjo gjendje politike pritet të shihet. Serbia do të vihet në pozitë ose në BE ose e vetmuar, tash duhet të zgjedh. Bojkotimi është i dëmshëm, andaj BE dhe SHA nuk mund të përkrahin asnjë bojkot ose regresi  politik dhe rrezikon paqen”, deklaron Burjani.

Masat ndëshkuese, sipas Burjanit, nuk do të largohen.

“Sanksionet nuk largohen për shkak të asociacionit, Kurti po kupton se kriteret apo kushtet politike kanë pushuar, kjo sipas BE nuk qëndron”, shton analisti.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën për shkak të tensioneve në veri, gjersa kjo e fundit u pajtua që të organizojë zgjedhje të reja përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Ndërsa, referendum i së dielës për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, dështoi për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në votimet e së dielës morën pjesë vetëm 253 qytetarë nga rreth 46,500 votues të regjistruar. Një proces i ngjashëm nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Qarri: Pas bojkotit të referendumit në veri qëndron “dora e zgjatur” e Serbisë në Kosovë 

 Image
 Gani Qarri 
 

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se Kosova ka dëshmuar se është shtet serioz dhe me bojkotimin e referendumit Serbia është ajo që pengon jetësimin e kërkesave ndërkombëtare.

“Në fakt,  Kosova  me referendumin  e organizuar, për largimin e kryetarëve në veri, ka dëshmuar për të satën herë, para SHBA-ve , BE-së dhe mbarë faktorit ndërkombëtar, se është shtet serioz, që vërtetë respekton të drejtat e minoriteve në vend dhe përmbush në plotëni, kërkesat ndërkombëtare për trajtimin e pakicave në këtë drejtim. Por, BE dhe SHBA në anën tjetër, duhet ta shohin përfundimisht, se është Serbia ajo, që pengon jetësimin e këtyre standardeve, siç ndodhi së fundi, pa dëshirën e Kosovës, që edhe ky referendum, me insistimin e Serbisë, të bojkotohej nga vet serbët. Bojkot prapa të cilit, pa asnjë dyshim, përveç Serbisë, qëndron edhe dora e saj e zgjatur në Kosovë, si elementi më turbullues politik, e ashtuquajtura “listë serbe”, akt për të cilin, do duhej, jo vetëm “dënuar” por edhe sanksionuar sa më rëndë, pikësëpari Serbia hegjemoniste, e cila edhe 25 vite pas lufte, nuk lejon integrimin e pakicës serbe, në vendin tonë. Madje për këto ndërhyrje kaq tendencioze, me qëllim të përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës, Serbia do duhej ndëshkuar sa më rëndë nga ndërkombëtarët, kurse e ashtuquajtura “listë serbe”, e cila për bojkotin e vazhdueshëm që u bën zgjedhjeve demokratike në vendin tonë , do duhej përjashtuar tërësisht nga lista e partive politike dhe ndaluar veprimtaria, gjithnjë e më subervzive e saj në Kosovë!”, pohon Qarri.

Qarri ka kërkuar që BE të vendos masa ndëshkuese ndaj Serbisë, sepse sipas tij, nëse nuk bëhet një gjë e tillë atëherë bie hapur në sy mostrajtimi i barabartë dhe dënimi arbitrar e i padrejtë i saj ndaj Kosovës.

 “Ndërsa sa u takon sanksioneve të BE-së, të vendosura tërësisht njëanshëm dhe krejt padrejtësisht ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të gjendjes nga Serbia në veri të Kosovës, duke zënë shkak në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë, të cilët tani vet serbët, nuk duan t’i heqin nga postet e fituara, në mënyrë demokratike, përmes votës së lirë të qytetarëve, masat e vendosura, përveçse duhet të largohen urgjentisht, do ishte e udhës, që të vendosen menjëherë, dhe pa asnjë vonesë të mëtejme, kundër Serbisë hegjemoniste, veçanërisht pas akteve të fundit të dhunës dhe shantazhit, nga të cilat Serbia hegjemoniste, dëshmoi se ajo akoma nuk heq dorë, duke maltretuar, marrë në pyetje dhe burgosur, në mënyrë arbitrare edhe qytetar të pafajshëm shqiptar, vetëm pse ata, kalojnë transit, përmes territorit të Serbisë! Vendosja e sanksioneve kundër Serbisë, është akt i domosdoshëm edhe për faktin se ajo me ndalimet arbitrare të mijërave qytetarëve shqiptar në kufi, shkel me të dy këmbët marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel dhe cenon rëndë të drejtat e njeriut, për të cilat, marrë parasysh edhe ndërhyrjet e saj brutale në Kosovë, BE nuk ka çfarë të pres më, por duhet menjëherë, dhe pa vonesa të mëtejme, ta vendos Serbinë nën masa shtrënguese dhe sanksione adekuate, përndryshe bie hapur në sy, mostrajtimi i barabartë dhe dënimi arbitrar e i padrejtë i BE-së, ndaj shtetit të Kosovës, gjë që ulë përtokë edhe vet reputacionin e BE-së dhe vë në pikëpyetje të madhe, neutralitetin e proklamuar të faktorit ndërkombëtar!”, thekson Qarri.

Kujtojmë se Kosova ishte sanksionuar nga BE në qershor të vitit të kaluar pas gjendjes së krijuar për shkak të kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në komuna veriore, ndërsa për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në veri, qytetarët serbë në komunat veriore në muajin janar kanë nënshkruar një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.

Por, ndonëse mori pjesë në nënshkrimin e peticionit, Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi nuk mori pjesë në referendum ndërsa e quajti farsë të kryeministrit Albin Kurti votimin e së dielës për largimin e kryetarëve në veri të vendit.