Gjykata Komerciale përmes aktgjykimit ka obliguar Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), që paditësit KPU “Inspect” Sh.p.k t’ia kompensojë dëmin material në formën e fitimit të humbur, në vlerë prej 1 milion e 8 mijë e 454 euro e 61 centë, me kamatë ligjore prej 8%, nga data e paraqitjes së padisë e deri në përmbushjen definitive.
Aktgjykimi i Komerciales, është marrë më 2 maj 2023, jashtë seancës, ndërsa shuma që do të kompensohet thuhet se është konstatuar dhe vërtetuar me ekspertizë financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas padisë, e paditura MTI më 30 gusht 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendim, me të cilin paditësit KPU “Inspect”, i është refuzuar dhënia e autorizimit për inspektimin e karburanteve të naftës.
Komercialja konstaton se vendimi i MTI-së ishte i kundërligjshëm, i përbërë me shkelje të dispozitave procedurale dhe me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
“Vendimi i të Paditurës me të cilin ishte refuzuar kërkesa me numër protokolli 3104, ishte vendim i kundërligjshëm jo vetëm sa i përket shkeljeve të dispozitave procedurale, por edhe sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike ngase Gjykata në arsyetimin e Aktgjykimit të saj e ka vërtetuar se nuk qëndron asnjëri nga pretendimet e të Paditurës se gjoja Palës Paditëse i mungonte çmimorja e shërbimeve dhe garancioni bankar në vlerën prej 20,000.00 €”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Lidhur me këtë rast, mbi bazën e provave të administruara veç e veç dhe të gjitha së bashku, Gjykata Komerciale ka ardhur në përfundim se palës paditëse i është shkaktuar fitim i humbur dhe të njëjtës i takon shpërblimi për fitimin e humbur, andaj konform nenit 173 të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve ka vendosur që ta aprovojë kërkesëpadinë e palës paditëse.
Kjo pasi që në vendim, mes tjerash thuhet se “…Në rastin konkret është vërtetuar shkaktimi i fitimit të humbur i cili pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhës së rregullt të gjërave, realizimi i të cilit ishte penguar nga veprimi i dëmtuesit, gjegjësisht vendimi i të Paditurës numër 7072 i 11 i datës 30.08.2012 i cili me Aktgjykime të dy instancave gjyqësore ishte vërtetuar si vendim i kundërligjshëm, andaj Gjykata me rastin e vendosjes së Kërkesëpadisë së Palës Paditëse aplikoi nenin 173 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve”.
Përmes aktgjykimit, gjykata gjithashtu ka obliguar të paditurën që palës paditëse t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës në lartësinë prej 9 mijë e 350 euro, të gjitha këto shuma në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.
Sipas padisë së ushtruar më 29 qershor 2016, paditësi KPU “Inspect” Sh.P.K për inspektimin e cilësisë dhe sasisë së mallrave, ka ushtruar padi ndaj Qeverisë së Kosovës- Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për kompensim të dëmit dhe fitimit të humbur, në vlerë prej 1 milion e 497 mijë e 410 euro e 97 centë.
Në padi thuhet se KPU “Inspect” kërkon nga gjykata që të obligojë të paditurën MTI, që t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar dhe fitimin e humbur, në vlerën e lartpërmendur, me kamatë ligjore që nga 1 shtator 2012 e deri në pagesën definitive, duke përfshirë edhe shpenzimet procedurale, me arsyetimin se e paditura në mënyrë të kundërligjshme e ka marrë vendimin nr. 7072, të 30 gushtit 2012, me të cilin paditëses i është refuzuar dhënia e autorizimit për inspektimin e karburanteve të naftës.
Sipas padisë, me këtë vendim paditëses i është shkaktuar dëm, duke ia bërë të pamundur realizimin e aktivitetit afarist, e si rezultat i kësaj edhe realizimin e të hyrave financiare, fakt këtë të cilin thuhet se e ka vërtetuar në procedurën paraprake Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me aktgjykimin e 4 nëntorit 2015, të formës së prerë dhe të plotfuqishëm, duke theksuar se refuzimi i autorizimit për paditësen ka qenë i pabazë dhe në kundërshtim me ligjin.
Andaj, përmes padisë paditësi KPU “Inspect” ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura brenda afatit prej 7 ditësh pas plotfuqishmërisë se aktgjykimit nën kërcënimin e përmbarimit që t’ia paguajë shumën e kompensimit të cekur më lartë në emër të dëmit të shkaktuar dhe fitimit të humbur, me kamatë ligjore, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi