Përkundër mungesës së kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, Komisioni Hetimor për tekstet shkollore po vazhdon mbledhjen.
Anëtarët e komisionit nga mazhoranca caktuan deputeten Arjeta Fejza kryesuese të mbledhjes së sotme, mirëpo kjo u konsiderua joligjore dhe në shpërputhje me Rregulloren e Kuvendit nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila kishte ardhur të intervistohet në cilësinë e ish-ministres së Arsimit.
Ajo tha se nuk mund t’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve të pushtetit pasi bëhen pjesë e shkeljes ligjore.
Sipas saj, kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin e cakton vetëm seanca plenare dhe jo komisioni.
Pavarësisht kësaj, deputetët nga mazhoranca insistuan se veprimi i tyre është në përputhje me ligjin për hetim parlamentar. Aktualisht është duke u intervistuar ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj.