Ndonëse kanë mbetur më pak se një muaj mandat, Komisioni Hetimor Parlamentar për Rezervat nuk po arrin të shtyjë para agjendën, pasi pozita e opozita nuk po gjejnë dakordim që të shtyjnë përpara kërkesën për sjellje të dokumentacionit nga ana e Ministrisë së Industrisë, gjë e cila sipas partive opozitare do të mund të luante rol në zbardhjen e së vërtetës në lidhje me keqpërdorimet e mundshme.
Për të shtyrë para agjendën komisioni po mbanë mbledhjen e radhës, në të cilën nga mazhoranca propozuan që të konsultohet Ligji për Qasje në Dokumentacion të Kualifikuar para se t’i kërkohen dokumente ministrisë.
“Para se të bëhet një kërkesë te ministria kam kërkuar që ta konsultojmë edhe Ligjin për Qasje në Dokumentacion të Klasifikuar. Ne do ta kishim një përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Dokumentacionit të Kualifikuar për një ditë ose dy. Nuk e kuptoj pse duhet ne të kemi vendime të tilla për mos hedhje në votim të një propozimi të një deputeti të pozitës. Nuk jam ithtar që të kemi mbledhje ku çështjet parimore që duhet t’i trajtojmë, siç janë propozimet e deputeteve, injorohen nga ana juaj. Edhe nëse është propozimi më i gabuar, ju mund ta hidhni në votim”, tha deputeti i VV-së, Driton Hyseni.
Ndaj tij reagoi kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Të gjithë e dimë se pse ne jemi duke ardhur në këtë moment dhe nuk kemi avancuar fare. Unë jam munduar ta ruaj një korrektësi edhe kur nuk keni pasur fare të drejtë. Edhe pse e kam parë që qëllimisht po e prolongoni punën e këtij komisioni”, tha Qalaj.
Qalaj bëri të ditur se këtij komisioni do t’i përfundojë mandati më 6 prill, për çka tha se do të kërkojnë nga Kuvendi që i njëjti t’i vazhdohet edhe më tej.
E deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili tha se ministria e ka për obligim që me një të tretën e nënshkrimeve të këtij komisioni t’i sjellë dokumentet.
“Nëse nuk i dërgon, ka përgjegjësi penale. Kemi tentuar me ju bind edhe ju me na u bashkëngjit me një kërkesë racionale. Diskutimi nuk ka qenë korrekt. Keni ardhur këtu të paragjykoni. Kështu që unë kam vendos ta bëjë kërkesën me një të tretën dhe unë nuk tërhiqem sepse ligji ma lejon. Unë jam duke e përfunduar listën e këtyre dokumenteve dhe në fund të mbledhjes do të kërkojë nënshkrimet”, shtoi ajo.