Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rezervat shtetërore ka angazhuar tre ekspertë. Hilmi Jashari është angazhuar për fushën juridike, Hasim Krasniqi, në atë të prokurimit publik, ndërkaq, Lulzim Beqiri sa i përket financave.
Anëtarët e komisionit, në mbledhje të martën u pajtuan unanimisht që nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar, të zgjidhen tre të lartcekurit.
Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në emër të grupit punues për përzgjedhjen e ekspertëve, tha se Jashari, Krasniqi dhe Beqiri i plotësojnë kushtet e kërkuara nga komisioni, sa i përket hetimit në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
“Pas shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve u konstatua njëzëri se tre kandidatët i kanë plotësuar kushtet normale sipas thirrjes publike, andaj propozohen sot për votim në këtë komision, kurse katër kandidatë të tjerë nuk i kanë plotësuar kushtet normale ose teknike. Grupi i propozon komisionin angazhimin e këtyre ekspertëve: Në fushën juridike, zotëri Hilmi Jashari, në fushën e prokurimit, Hasim Krasniqi dhe në fushën e financave Lulzim Beqiri. Këta janë tre kandidatët që sipas grupit punues i kanë plotësuar kushtet”, theksoi Lekaj.
Krahas kësaj, deputetët u pajtuan që javën e ardhshme të mbahet një punëtori, sa i përket hartimit të planit punës.