Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Komisioni për të Drejtat e Njeriut diskuton për rregulloren për personat me aftësi të kufizuar

 
   

Me rregulloren e re personat me aftësi të kufizuara do të kenë vlerësim të përhershëm, ata do të mund të aplikojnë online dhe përcjellësi i tyre për një kategori do të jetë i përhershëm ndërsa për tjetrën mund të ketë rivlerësim.

Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ku u diskutua lidhur me plotësimin apo ndryshimin e Rregullores për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Praplegjik dhe Tetraplegjik, ose nxjerrjen e Rregullores së re.

Në këtë komision, u theksua nevoja për krijimin e një data baze në institucionet e Kosovës, e cila do të përmbajë të dhënat për këtë kategori të personave.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna tha se rregullorja tashmë ka shkuar në thesar për buxhetin dhe është përcjellur në zyrën e kryeministrit për përputhshmëri.

Ndryshimin më të rëndësishëm në këtë rregullore, Dobruna e konsideroi se nuk do të ketë më rivlerësime të gjendjes së personave me nevoja të veçanta.

Ai tregoi se aplikimi do të jetë online, ndërsa ata që nuk kanë mundësi të vijnë do t’iu sigurojnë transportin, derisa si opsion tjetër përmendi vizitën e komisionit në shtëpitë ku ata banojnë.

Dobruna: Me rregulloren e re nuk do të ketë rivlerësime për personat Praplegjik dhe Tetraplegjik

“Me këtë rregulloren e re nuk do të ketë rivlerësime çka është më e rëndësishmja, do të jetë vlerësimi i përhershëm. Një person tetrapelgjik kur të vlerësohet që është ashtu, nuk ka nevojë më të vijë për vlerësim…Është e rëndësishme edhe për komision, komisioni vlerësues deri tani nuk ka qenë në kompetencë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Financave ndërsa tani do ta kontaktojmë sipas ligjit për prokurim publik. Komisioni nuk do ta sheh vetëm gjendjen shëndetësore të aplikuesit, por do të merret edhe me funksalitetim, ripunësimin, riaftësimin, nevojat sociale dhe çkado që duhet, sepse kanë qenë vetëm shëndetësore deri më tani…Aplikimi do të jetë online, ata që nuk kanë mundësi të vijnë do t’iu sigurojmë ne transportit, nëse ata nuk kanë mundësi as me transport komisioni do të shkojë në shtëpinë ku banojnë. Përcjellësi për një kategori do të jetë i përhershëm, ndërsa për tjetrën kategori tjetër mund të jetë i përhershëm por mund të jetë edhe në rivlerësim pas tri viteve nëse konstatohet që pacienti mund të ketë përmirësim nga komisioni vlerësues. Kemi siguruar një financim prej BE-ja që do të monitorojë punën e komisioneve”, tha Dobruna.

Ndërsa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se është nënshkruar kontrata nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKUK) për pajisjet që i nevojiten kësaj kategorie, derisa potencoi se investimi për gjatë dy viteve është 3.2 milionë për vitin 2024 dhe 3.2 milionë për vitin 2025.

Berisha: Janë ndarë nga 3.2 milionë për vitin 2024 dhe 3.2 milionë për vitin 2025

“Është nënshkruar kontrata nga SHSKUK-ja për pajisjet ku investimi për gjatë dy viteve për këtë kategori janë ndarë nga 3.2 milionë për vitin 2024 dhe 3.2 milionë për vitin 2025…Është e rëndësishme të kuptojmë edhe sfidat dhe vështirësitë që kanë dalur gjatë kësaj kohen nga raporti i progresit të Bashkimit Evropian, ku bashkë me përfaqësuesin e HANDIKOS e kemi diskutuar këtë çështje disa herë dhe bashkë e kemi adresuar çështjen, e kemi hartuar dokumentin, është aprovuar, është ndarë buxheti dhe tashmë që po flasim është nënshkruar kontrata dhe besoj që këto pajisje dhe teknologji të reja do të ndryshojnë jetën e tyre dhe do të mundësojë lëvizjen e lirë…Nuk duhet të harrojmë edhe të grandi specifik që e ndan Ministria e Shëndetësisë për shëndetësi të nivelit parësor janë në shumë prej 2.1 milionë euro çdo vit, që tri vite si politikë e re e MSH-së që kryesisht i ndahet komunave në nivelin e kujdesit parësor për kujdesin paliaktiv që ka të bëjë me vizita shtëpiake që marrin shërbime shëndetësore edhe kjo kategori me nevoja të veçanta”, potencoi Berisha.

Drejtori i Shoqatës HANDIKOS, Afrim Maliqi e konsideroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm për mjetin vlerësues me të cilin komisioni do ta vlerësoj personin për aftësitë e tij.

Ai tha se ata kanë një data bazë të tyre si shoqatë, porse theksoi nevojën për krijimin e një tjetre nga institucionet shtetërore.

Maliqi përmendi si regres çështjen e subvencionimit me energji elektrike për këta persona, derisa potencoi se nuk doli ashtu siç kishte premtuar zëvendësministri i MFPT-së.

Maliqi: Ne kemi databazë si shoqatë, por duhet të jetë në institucionet databaza

“Çka është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne është mjeti vlerësues e të cilin do ta vlerësojë komisionin personi. Ne e kemi zhvilluar një draft të këtij mjeti vlerësues i cili ua lehtëson punën komisionit vlerësues… Ne shpresojmë se do të jetë ky vlerësim shumë më i drejtë, shumë më i mirë, dhe rivlerësim për ata të cilët e marrin vendimin apo statusin e personit praplegjik apo tetraplegjik… Ne kemi databazë si shoqatë, por duhet të jetë në institucionet databaza. Sa i përket udhëzimit administrativ për pajisjeve ndihmëse fatkeqësisht ky udhëzim administrativ katër herë ka shkuar në qeveri, por për arsye se ndërroheshin qeveritë përpara, nuk e zuri afatin e konceptimit publik, më në fund ka gjetur zbatim, që në fakt personat Praplegjik dhe Tetraplegjik do të pajisjen me pajisje ndihmëse për lëvizje, për asistim dhe parandalim. Sa kemi ne informata është zgjedhur kontraktuesi… Ka edhe regrese, e para është energjia elektrike, në bazë të ligjit për personat Praplegjik dhe Tetraplegjik, kemi qenë prezent me ju, zëvendësministri ka thënë se nuk do të preken ata persona të cilët kanë pasur subvencionim të energjisë elektrike deri tani, unë i kam thënë se do të preken, ky ka thënë ‘jo se do të përfitojnë ata plus të tjerët’, por nuk ka dalë ashtu”, theksoi Maliqi.

Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje pyeti zëvendësministrin e Shëndetësisë, nëse janë përjashtuar personat e moshuar për marrjen e pajisjeve për lëvizje, për çka tha se e kanë dëgjuar si informacion para rreth një muaji.

Lidhur e këtë, zëvendësministri Berisha tha se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar se mund të ketë ndodhur një gjë e tillë.