Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen që ndodhi në një lokal të Klinës i cili është ende në arrati ishte i shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar në Interpol nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Në një përgjigje për Dukagjinin, MD ka thënë se i njëjti me urdhër të kërkimit ndërkombëtar ishte arrestuar në Itali, pastaj MD në Kosovë e kishte dorëzuar kërkesën për ekstradim.
“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës konfirmon se personi në fjalë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në Interpol nga Gjykata Themelore në Pejë-dega në Klinë për veprën penale vjedhje e rëndë”, thuhet në përgjigjen e MD-së. I njëjti mbi bazën e urdhër kërkimit ndërkombëtar ishte arrestuar në Itali, pastaj Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përkitazi me nenin 40, të Ligjit 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, e kishte dorëzuar kërkesën për ekstradim”, thuhet në përgjjigjen e MD-së.
Tutje thuhet se Gjykata kompetente italiane kishte konstatuar se kërkesa për ekstradim e Republikës së Kosovës i plotëson kushtet ligjore dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Italisë e kishte miratuar ekstradimin e personit.“Po ashtu, pas plotfuqishmërisë së vendimeve ishte realizuar ekstradimi i tij nga Policia e Kosovës në muajin shkurt 2023”, thuhet tutje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se i dyshuari, Tush Frroku, për vrasjen e së hënës në një lokal në nё rrugën “Leonard Palucaj”- Klinё në të kaluarën ka kryer edhe vepra të tjera penale.
Përmes një përgjigjeje dhënë për Portalin Dukagjini, Prokuroria Themelore në Pejë njofton se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra të tjera penale dhe se ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Në përgjigjen e prokurorisë thuhet se në vitin 2012, Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Frrokut për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.