Situata në veri akoma nuk është e qetë. Atje po veprojnë bandat kriminale, dhe kjo më së miri tregon me arrestimet që po i bën Policia e Kosovës, e madje së fundi Policia parandaloi një ‘sulm terrorist’.
Por, edhe pak kësaj ndërkombëtarët po kërkojnë nga Kosova shtensionim të situatës.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 20 qershor ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.
“Jam shumë i shqetësuar. Kjo ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, në një konfrontim rajonal. Prandaj, ne jemi shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane“, ka thënë Escobar.
Shala: Situata në veri të vendit ka potencial të kaplojë komplet Ballkanin Perëndimor
Drizan Shala
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se situata në veri ka potencial të ndizet, duke pasur parasysh edhe çështje të mbetura pezull në Ballkanin Perëndimor si: në Bosnjë, Mal të Zi etj.
“Situata në veri të vendit ka potencial faktik-real që çështja ta kaplojë komplet Ballkanin Perëndimor. Sepse, nëse do të kemi vetëm një viktimë në veri, nga njëra apo pala tjetër, de facto zjarri do të ndizej dhe askush nuk e di se si do të përfundonte.
Sepse, kanë mbetur shumë çështje pezull në rajonin e Ballkanit Perëndimor: sa i përket Republikës Serbe në Bosnjë, sa i përket mos-formimit të Qeverisë në Malin e Zi – ndikimit të subjekteve pro-serbe, pro-ruse në formimin e saj, lënia anash eventual edhe në situatën e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë eksponentet e subjekteve shqiptare atëherë situata mund të kaplojë Ballkanin.
Sipas tij, qeveria duhet të koordinohet me SHBA-në, për të parandaluar këtë tension, duke shtuar se mund të përshkallëzohet më 28 Qershor në ditën e Vidovdanit.
“Prandaj qeveria duhet t’i thërrasë mendjes dhe veprimet e saj të jenë në koordinim me Shtëpinë e Bardhë, SHBA-në, dhe assesi të mos lejohet që çështjet të kalohen në vendimarrje në një grup më të ngushtë të afërt me kryeministrin e Kosovës ku situata mund të përshkallëzohet më 28 Qershor në ditën e Vidovdanit nëse do të mbahet brenda territorit të Kosovës”, përfundon ai.
“Opsioni i zgjidhjes së kësaj nyjeje gordiane në Ballkan përmes luftës, nuk mund të përjashtohet”
Rexhep Elezaj
Analisti Rexhep Elezaj, thotë se qëndrimet e Escobarit kanë qenë korrekte ndaj Kosovës dhe kanë qenë për normalimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.
“Për fat të mirë të Kosovës dhe shqiptarëve, administrata amerikane para dy viteve e emëroi për emisar të saj për Ballkanin perëndimor, njërin ndër njerëzit më me përvojë në fushën e marrëdhënieve diplomatike dhe ato ndërkombëtare, z. Gabriel Escobar, në një rajon të Evropës, ku po bëhen më shumë se 24 vite që marrëdhëniet e disa shteteve me Serbinë hegjemoniste vazhdojnë të jenë të tensionuara, sidomos ato Kosovë-Serbi. Qëndrimi dhe qasjet e z. Escobar ndaj Kosovës gjatë gjithë kohës qëkur e ushtron këtë mision, kanë qenë tejet korrekte, miqësore dhe në interes të normalizimit të marrëdhënieve midis xhelatit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), duke e dhënë mundin dhe kontributin e tij maksimal që midis dy vendeve të armiqësuara të arrihet një marrëveshje e pranueshme për dyja palët, madje duke e ditur faktin, se është Beogradi zyrtar strumbullari i të gjitha problemeve në Ballkanin perëndimor për shkak të politikës hegjemoniste ndaj Kosovës dhe jo vetëm”, shprehet ai.
Sipas tij, të gjithë e dimë se pas këtij kaosi qëndron politika fashiste e Serbisë.
“Siç e dinë të gjithë faktorët në Evropë dhe SHBA, se Serbia me politikën e saj fashiste dhe hegjemoniste ishte dhe vazhdon të jetë shkaktari kryesorë i destabilizimit dhe luftërave në Ballkan, por të cilën gjë asnjëherë nuk e thonë publikisht për shkak të etikës diplomatike, që tensionimet e fundit në veri të Kosovës, por edhe të gjitha ato më përpara, janë kryekëput pasojë e politikës serbomadhe në Ballkan, në krye me presidentin e saj radikal, A. Vuçiq, i cili me gjithë aparatin e tij shtetëror dhe mafioz, kurrë nuk është paraqitur si njeri i drejtë dhe paqësor ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, veçse përmes grupeve kriminale dhe Listës serbe në veri, në vazhdimësi e ka kërcënuar me luftë Kosovën, duke blerë kështu kohë për ta armatosur Serbinë me armët më të reja ushtarake, gjithnjë me pretendimin se kur të vjen çasti i duhur ai me ushtrinë e tij kriminale do ta rikthej Kosovën nën pushtimin e Serbisë..!?”.
Pra, të gjitha këto sjellje dhe veprime të regjimit fashist të Serbisë, i udhëhequr nga nxënësi i kriminelit të luftës V. Sheshel, siç është A. Vuçiq, i kanë pasur dhe i kanë të qarta miqtë tanë amerikan, para së gjithash emisari me përvojë të gjatë diplomatike, z. Gabrial Escobar, i cili me urtësinë dhe përvojën e tij diplomatike ka kontribuar që në veri të vendit tonë situata të mos eskalojë në konflikt ushtarak midis Serbisë dhe Kosovës. Ku, pa dyshim, menjëherë do pasonte ndërhyrja e trupave të NATO-s, dhe pastaj askush nuk do mund të parashikonte rrjedhën e saj, pa asnjë dyshim, shumë tragjike dhe me rrezikshmëri për luftë të re në Ballkan, e cila drejtpërdrejtë do t’i shkonte në favor agresionit rus në Ukrainë”, thekson ai.
Më tej, ai thotë se sa i përket konfliktit rajonal, mund të ketë ndodhur ndonjë devijim nga nga mënyra paqësore e zgjidhjes së tensioneve me dialog.
Ai shton, se edhe lufta nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh obstruksionet politike, diplomatike dhe ushtarake të regjimit kriminal të Serbisë në Ballkanin perëndimor.
“Se, a ka ndryshuar ndonjë rrethanë apo ndonjë plan strategjik i SHBA-ve kundrejt krizës në veri të Kosovës, apo kanë ndryshuar raportet midis fuqive të mëdha botërore, kjo është vështirë që të thuhet, por deklarata e z. Escobar, “se kriza në Kosovë mund të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe se është shumë i shqetësuar”, flet qartë se rreth raporteve dhe dialogut Kosovë-Serbi, mund të ketë ndodhur ndonjë devijim nga mënyra paqësore e zgjidhjes së tensioneve me dialog mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, qe 23 vite kurrsesi të ulën dhe Ballkani perëndimor t’i kthehet stabilitetit dhe raporteve normale mes shteteve dhe popujve të këtij rajoni. Pra, opsioni i zgjidhjes së kësaj nyjeje gordiane në Ballkan përmes luftës, mendoj se nuk mund të përjashtohet, kur kihen parasysh obstruksionet politike, diplomatike dhe ushtarake të regjimit kriminal të Serbisë në Ballkanin perëndimor, kur i gjithë dialogu, të gjitha marrëveshjet e arritura si dhe Plani i fundit i BE-së (franko-gjerman) për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i aprovuar në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër, lirisht mund të thuhet se kanë ngelur germa të vdekura mbi letër të bardhë..!?”
“Prandaj, në këtë kontekst duhet përmendur opsioni më i ri, i cili javëve të fundit ka zënë të përflitet publikisht në disa medie, është futja e veriut të Kosovës nën komandën e plotë të forcave të KFOR-it, ku do përjashtohej çdo forcë tjetër e sigurisë, përfshirë edhe policinë e Kosovës, meqenëse sipas disa informacioneve që vijnë nga Beogradi zyrtar, serbët lokalë në veri nuk do të marrin prapë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, siç po kërkon BE-ja, ngase në Serbi, sikur ka ndryshuar plani dhe strategjia shtetërore për “ripushtimin” e Kosovës, qoftë në hapa afat-shkurtë, qoftë afatgjatë, dhe kjo patjetër i bën të shqetësohen faktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe mikun tonë të sinqertë, z.Gabriel Escobar. Kosova ka bërë mjaft kompromise dhe në asnjë rast nuk duhet të lëshojë pe, ndaj ditët dhe javët në vijim do zbardhin dhe qartësojnë shumëçka në Ballkanin e trazuar dhe të ngopur nga gënjeshtrat, manipulimet dhe pafytyrësia e udhëheqësve serbë, si dhe nga ambiciet e sëmura të tyre, etja për gjak si dhe luftëra të reja në Ballkan, të shkaktuara shpeshherë në histori nga serbët dhe udhëheqësit e tyre djallëzorë..!?”, përfundon Elezaj për “Bota sot”.