Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konflikti në fis/ Nuk “e ftoi” në funeral, si xhaxhai i gruas tentoi të vriste Selami Brahimin

Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e shtetasit Selami Brahimi, ngjarje e ndodhur në lagjen “Xhabiej” mbrëmjen e 8 shkurtit. Mësohet se autori i plagosjes, shtetasi Sulejman Kapllani, 68 vjeç është xhaxhai i gruas së të plagosurit. Kështu Kapllani tentoi që të vrasë dhëndrrin e shtëpisë 60 vjeçarin Selami Brahimi. Sipas burimeve në rrugë operative që ka marrë policia vendore e Shkodrës, edhe pse të afërm ata kanë patur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes. Sherri nisi pas vdekjes së vjehrrit të shënjestrës, Musa Kapllani, në janar të këtij viti njëkohësisht vëllai i autorit.

Musa Kapllani që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij. Në 2013-ën vëllai i vogël Bërhan Kapllani vrau në Itali ish-bashkëshorten e tij, Orjeta Boshi dhe të dashurin e saj Shpëtim Hana ndërsa u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm. Që prej asaj kohe Musa Kapllani ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit Sulejmanin Kapllani, autori i dyshuar i plagosjes dhe Bërhanin Kapllanin. Pas vdekjes së Musa Kapllanit, familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy xhaxhallarëve, Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri.

Konflikti mes tyre ka agravuar dhe më 5 shkurt të këtij viti autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë ku në Rinasi mori me qira makinën nga ku qëlloi me 10 plumbanë drejtim të Selami Brahimit.

Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa shënjestra erdhi tek lokali i tij dhe sapo la mbesën e vogël në një pallat qëlloi në drejtim të 60 vjeçarit.

Pasi kreu atentatin, 68 vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë.

68 vjeçari dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë duke qenë se jeton në Itali.

Ky automjet pas ngjarjes, nga kçyrja e kamerave të sigurisë u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër dhe brenda saj edhe arma e zjarrit automatik kallashnikov. Brenda mjetit janë gjetur edhe 8 gëzhojat e automatikut ndërsa një gëzhojë u gjet në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda automjetit, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje. Shtetasi Sulejman Kapllani mësohet se u arrestua në Gjermani por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare. Një ditë më parë gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen.