Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kongresisti Kean: ShBA-ja duhet të dënojë çdo rol të Beogradit në armatosjen e protestuesve në veri

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Gabriel Escobar, ka qenë i ftuar për të dëshmuar të martën para Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Tema është angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Kongresisti republikan Thomas Kean, kryesues i Komisionit, në hyrje të kësaj seance, ka kritikuar BE-në për mungesë unianimiteti për faktin që nuk po e njohin si tërësi Kosovën, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se duke e parë këtë gjendje, ShBA-ja duhet të marrë rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor.

“Është detyrë e SHBA-së që të marrë rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor. Administrata e fundit e kuptoi rëndësinë e angazhimit të SHBA-së në rajon. Kjo seancë ofron mundësinë për t’u siguruar që Administrata Biden është ngjashëm e angazhuar për të ndjekur paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në Ballkan”.

“Nuk ka një çështje të vetme që po e bllokon Ballkanin Perëndimor sesa dështimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nën kujdesin e kësaj administrata, protestat e fundit të dhunshme në veri të Kosovës kërcënuan eskalimin që mund të kishin përfshirë tërë rajonin. Kryesorja është se qasja aktuale e SHBA-së po dështon për të mbajtur larg tensionet etnike dhe paqëndrueshmërinë”, deklaroi republikani Kean.

Ndër të tjera, ai kritikoi “veprimet e pakoordinuara” të qeverisë Kurti për t’i dërguar kryetarët shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke përdorur forcat policore të Kosovës për të vendosur kryebashkiakët lokalë, ishin të pakujdesshme dhe destabilizuese”, tha Kean, teksa shtoi se edhe dhuna e protestuesve serbë që pasoi nuk është dënuar mjaftueshëm nga administrata Biden.

“Megjithatë, dhuna pasuese e protestuesve serbë që çoi në lëndimin e disa dhjetëra ushtarëve të KFOR-it, duhet të dënohet gjithashtu, siç duhet të dënohet edhe çdo rol direkt apo indirekt që ka luajtur Beogradi për t’i organizuar dhe për t’i armatosur ata protestues. Jam i shqetësuar që kjo administratë s’po flet qartë për këta të fundit”, potencoi Thomas Kean.

Ai tha se mirëpresin deklarimin e javës së kaluar se Kosova do të ndërmarrë disa hapa fillestarë për de-përshkallëzim, në veçanti uljen e prezencës së forcave policore të Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale në veri.

Megjithatë, ai tha se teksa ShBA-ja e vazhdon presionin ndaj kryeministrit Kurti, “unë fuqishëm kërkoj nga administrata që të angazhojnë serbët e Kosovës dhe Beogradin që të sigurohen që zgjedhjet e reja nuk do të bojkotohen edhe një herë”.

Ai tha se ndan shqetësimin e kësaj administrate se “Kosova s’po e zbaton marrëveshjen për Asociacionin, siç është zotuar një dekadë më parë”.

Kean tha se dëshiron të dëgjojë nga Gabriel Escobari po ashtu një përkushtim se “fushata e presionit e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë kryeministrin Kurti drejt Asociacionit po bashkërendohet me garanca se nëse Kosova angazhohet besueshëm, SHBA-ja do ta bëjë presionin krejtësisht të njëjtë ndaj Beogradit”.

“Beogradi duhet t’i realizojë obligimet e veta nga marrëveshjet e fundit që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Asociacionin nuk e shoh ndryshe përpos që të mbrojë të drejtat e serbëve pa minuar autoritetin e qeverisë së Kosovës dhe të territorit të saj sovran”, deklaroi Kean në këtë seancë.

Në fund, kongresisti Tom Kean tha se edhe përkundër dallimeve aktuale me qeverinë, “Kosova është partner i rëndësishëm i SHBA-së”.