Kryetari Glauk Konjufca ka folur për situatën në Kosovë, për të cilën ka thënë se është alarmante pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit.
“Natyrisht që jemi të alarmuar, sepse u sulmuam më 24 shtator: Ishte një sulm terrorist dhe akt agresioni i shtetit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës. Sepse një grup i madh i armatosur hyri nga shteti i Serbisë brenda territorit tonë, e vrau policin Afrim Bunjaku dhe plagosi të tjerë, me qëllimin e qartë që të aneksojë një pjesë të Kosovës”, ka thënë Konjufca në një intervistë për DW-në.
Konjufca tha se dialogu nuk ka kuptim pasi përmes dialogut mësuan se Serbia po sponsorizon grupe për të hyrë në Kosovë dhe për të vrarë policë.
“Ne ishim në dialog dhe mësuam se ky shtet pas shpine sponsorizonte grupe për me hy e për na vra policinë. Çfarë kuptimi ka dialogu?”, tha Konjufca.