Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konjufca: Draft-statuti i Ramës për Asociacionin përmban elemente që çojnë në autonomi për serbët

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka biseduar me të edhe për propozimin që ky i fundit e dha për statutin e Asociacionit.

Sipas Konjufcës, Rama pretendon se statuti i propozuar në të është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por, ai tha se atij i janë dukur disa elemente që çojnë në autonomi për serbët e Kosovës.

“Ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por mua më janë dukur se elemente të caktuara të propozuara nga Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe kjo është në kundërshtim të interesit të kombit shqiptar”, tha Konjufca.

Më tej, ai tha se tri qëndrime të Shqipërisë, karshi Kosovës, e kanë dëmtuar këtë të fundit.

“Ne patëm një krizë në vitin 2017 kur u duk se për Kosovën edhe Shqipëria po është në anën e opsionit që ishte shkëmbimi territorial. Dhe mendoj që kjo e ka dëmtuar Kosovën.  Mendoj që e ka dëmtuar Kosovën edhe ideja e “Ballkanit të Hapur” sepse ky është dallim prej asaj se cka ka nevojë Kosova”.

“Dhe tash është ky dallimi i tretë që po ashtu po e dëmton Kosovën. Kur ne jemi në të drejtën tonë dhe kur nuk po na kupton as Shqipëria.  Mendoj që prej kësaj s’ka gjëra pozitive dhe prej këtyre pozicioneve, Kosova vetëm dëmtohet”, tha Konjufca.