Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në përvjetorin e 25-të të masakrës në Rezallë, bëri sot homazhe dhe vendosi kurora lulesh në Kompleksin Memorial ku prehen eshtrat e civilëve shqiptarë të vrarë e masakruar nga forcat pushtuese serbe.
Duke rikujtuar 98 shqiptarët e ekzekutuar në këtë fshat, kryetari Konjufca tha se masakra e Rezallës është një ndër masakrat më të rënda dhe më mizore ndaj popullatës civile të Kosovës.
“Gjaku i dëshmorëve të rënë qëndron në themelet e lirisë sonë, për të cilën duhet t’u përkulemi dëshmorëve, luftëtarëve, komandantëve që dhanë jetën, që fëmijët tanë të gëzojnë lirinë”, tha i pari i Kuvendit.
Ai theksoi se padrejtësia më e madhe është që kriminelët ende janë të lirë dhe të padënuar, ndërsa çlirimtarët e shtetit tonë janë vendosur padrejtësisht para gjykatës.
“Ende ne duhet të mbrojmë luftën e UÇK-së. Ende ky obligim nuk po kryhet, e që i bie se populli shqiptar ende ka punë derisa të vuloset drejtësia dhe prijësit e UÇK-së të kthehen në mesin tonë”, theksoi Konjufca, duke shtuar se vlerat e UÇK-së duhen ruajtur, mbrojtur, kultivuar dhe vendosur në themelet e shtetit.