Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot mori pjesë në konferencën e tretë mbi Vullnetarizmin Edukativ, të organizuar nga organizata joqeveritare TOKA, program ky që integron mësimin me shërbimin në komunitet.
Në këtë konferencë kryetari Konjufca theksoi se sa më të zhvilluara të jenë shtetet, aq më i zhvilluar është edhe vullnetarizmi. Ndër të tjera ai përmendi se ndryshimet shoqërore nuk mund të ndodhin vetëm me liderët institucionalë, por me angazhimin e të gjithë shoqërisë
“Kryetari i Kuvendit përgëzoi të gjithë mësimdhënësit, studentët dhe aktivistët e shoqërisë civile të cilët merren me vullnetarizëm dhe e cilësoi punën vullnetare si një akt fisnik”, u tha në komunikatën për media.
Posaçërisht shprehu mirënjohje ndaj mësimdhënësve të cilët e kanë integruar Vullnetarizmin Edukativ në shkolla dhe përmes vullnetarizmit po u servojnë nxënësve të tyre përvoja unike të cilat ndihmojnë në zhvillimin e shkathtësive të buta.
Përgjatë këtyre 5 vjetëve, në programin e Vullnetarizmit Edukativ janë përfshirë më shumë se 3,000 të rinj, më shumë se 300 mësimdhënës, janë zbatuar më shumë se 200 projekte dhe janë bërë më shumë se 40,000 orë vullnetare.