Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konjufca priti në takim delegacionin e Norvegjisë në APKE

 
   

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim delegacionin e Norvegjisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në përbërje Ingjerd Schou, Lise Christoffersen, Lisa Marie Klungland, Andreas Sjalg Unneland, Anita Helland Kjus dhe Eric Christensen. 

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë, me fokus vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez ndaj Kosovës në rrugën integruese euroatlantike. Njëherësh u shkëmbyen pikëpamje edhe përkitazi me zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. 

Kryetari Konjufca e njoftoi delegacionin norvegjez në APKE lidhur me punët e deritashme, sfidat dhe të arriturat e kësaj legjislature. Gjithashtu i informimoi në lidhje me hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 

Kryetari i Kuvendit theksoi se Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, meqë i ka plotësuar të gjitha kriteret, duke bërë progres në të gjitha fushat, përfshirë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe ndërtimin e shtetit me standarde të larta demokratike. 

Anëtarët e delegacionit norvegjez në APKE, pasi e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen, ofruan mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në KiE dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. 

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj 2022. Ndërsa më 24 prill 2023, Komiteti i Ministrave me më shumë së 2/3 e votave ka votuar në favor të procedimit tutje të kërkesës për anëtarësim në KiE.