Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në vizitën e tij zyrtare është takuar me homologun estonez Lauri Hussar, me të cilin ka diskutuar për situatën politike.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Konjufca ka thënë se aleanca e vendeve demokratike është përgjigja e vetme ndaj kërcënimit rus.
“Me z. Lauri Hussar biseduam edhe për situatën politike në vendet tona përkatëse, duke theksuar se përveç interesave ndajmë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit”.
“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, ka shkruar Konjufca.
Tutje, Konjufca ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Estonisë që ka ofruar ndaj Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale.
“Z. Hussar më konfirmoi se mbështetja e shtetit estonez do të vazhdojë, e së bashku u pajtuam për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve tona, përmes shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët”.
Të hënën e 5 shkurtit, Konjufca ka nisur vizitën zyrtare në Estoni.