Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Lekaj do të dëshmojë për seancën e Kuvendit të mbajtur më 10 gusht 2016, ku ishte hedhur gaz lotsjellës.
Kur Lekaj arriti në gjykatë, ai e përshëndeti Konjufcën.
“Ku je kryetar, a je a qysh je a”, i tha Lekaj – Konjufcës para fillimit të seancës.
Ndërsa, Konjufca ia ktheu: Qysh je…. Nashti na kallëzon qysh me i kry bre këto procese se unë amater, s’po di.
“Jo, a”, tha Lekaj.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 8 shkurt 2024, në cilësi të dëshmitarëve ishin dëgjuar Sabri Hamiti, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq.
Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.