
Njohësit e çështjeve politike kritikojnë vazhdimin e seancave çdo 48 orë pa asnjë kompromis ndërmjet partive. Sipas tyre, mungesa e vullnetit për dialog ndalon çdo mundësi për zgjidhje, ndërsa kërkohet reflektim nga Vetëvendosje pas katër dështimeve radhazi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ndërsa, Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar ndërhyrjen e presidentes që të marrë një rol aktiv duke thirrur takime me liderët politikë për të kërkuar një zgjidhje, e për të thyer ngërçin institucional.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se kjo formë e vazhdimit të seancave çdo 48 orë pa kompromise politike, nuk mund të sjellë zgjidhje të situatës.
“Asnjëra parti nuk është në gjendje dhe nuk dëshiron që të ulet në tavolinë dhe të bisedojnë për gjetjen e një kompromisi të mundshëm dhe në situate të tilla pa compromise nuk ecet përpara, pasi edhe në ligj edhe në Kushtetutë por edhe në rregulloren e Kuvendit thotë që partitë politike duhet bashkërisht të përgatisin mbledhjen konstituive çka do të thotë se ata duhet të bëjnë kompromise të kapshme për çdo deputet”, tha profesor Muhamet Kelmendi.
Sipas tyre, partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për një emër të pranueshëm për kryeparlamentar.
“Barkiadimi po vazhdon. Unë mundohem me kuptua dëshirën e LVV që me vazhdua me insistimin me parimin që nuk mundet me na imponua askush vullnet, mirëpo kur ti e sheh që me radhë, e katërta herë, dhe duket që nuk do të ketë ndryshim, unë besoj që ata duhet me reflektua”, tha Besa Luzha, analiste e çështjeve politike
Deputetët pritet të kthehen në sallë sërish të dielën, për të provuar edhe njëherë konstituimin e Kuvendit.