Përbërja e re e Parlamentit Evropian u konstituua të martën.
Ajo doli nga zgjedhjet që u mbajtën në të 27 vendet e Bashkimit Evropian nga data 6 deri më 9 qershor.
Në krye të PE-së u rizgjodh maltezja Roberta Metsola, e cila do ta drejtojë këtë institucion edhe për dy vjet e gjysmë.
Metsola vjen nga vendi më i vogël në BE. Ajo u zgjodh për herë të parë në janar të vitit 2022, pas vdekjes së paraardhësit të saj, David Sassoli.
Për Metsolën votuan 562 përfaqësues evropianë.
Kjo është përbërja e dhjetë e Parlamentit Evropian, i cili i ka 720 deputetë.
Prej tyre, 54 për qind janë emra të rinj, ndërsa 39 për qind janë gra.
“Na duhet të ngrihemi dhe të jemi gati. Në mandatin e fundit mësuam se e ardhmja nuk është asgjë tjetër veçse e paparashikueshme”, tha Metsola gjatë një fjalimi përpara deputetëve evropianë.
“Kjo duhet të jetë një shtëpi që nuk mund të ketë frikë për të udhëhequr dhe për të ndryshuar. Ne kemi filluar, por nuk kemi mbaruar ende”, tha ajo.
Metsiola bëri thirrje edhe për mbrojtje të fortë të sundimit të ligjit, mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, thjeshtësim të burokracisë dhe mbrojtje më të fortë të të drejtave sociale.
Deputetët evropianë janë të vetmit përfaqësues në institucionet e BE-së që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli.
Ndër detyrat e para të përbërjes së re të PE-së do të jetë zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian.
Ursula van der Leyen synon rizgjedhjen dhe qeveritë e BE-së kanë rënë dakord tashmë për emrin e saj.
Megjithatë, emërimi duhet të konfirmohet nga PE-ja.
Votimi për von der Leyenin është caktuar për datën 18 korrik./rel