Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konsultimet për datën e zgjedhjeve, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar per datën 31 korrik kryetarët e partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.
Derisa krerët e përtive nuk kanë treguar se a do të jenë pjesë e takimit të përbashkët apo do të modifikohet formati, në KQZ janë në pritje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.

Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi për median.

Ai ka sqaruar se “përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”.