Në Prishtinë janë zhvilluat konsultimet politike në mes dy ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve, nën udhëheqjen e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe zëvendës-sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane, Ingrida Leverence.
MPJD-ja përmes një komunikate për media njoftoi se gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e konsoliduara mes Kosovës dhe Letonisë.
Poashtu, sipas komunikatës u trajtuan në detaje temat e bashkëpunimit bilateral, koordinimi shumëpalësh, bashkëpunimi ekonomik e kulturor, roli i diasporës nga të dyja vendet si dhe zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore.
“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral u diskutuan për mënyrat e përmirësimit dhe thellimit të marrëdhënieve në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek bashkëpunimi ekonomik, në fushën e digjitalizimit, energjisë dhe teknologjisë, si dhe u shqyrtuan mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes marrëveshjeve bilaterale dhe iniciativave e projekteve konkrete”, thuhet në komunikatë.
Sa i përket bashkëpunimit multilateral, sipas MPJD-së, u trajtuan proceset integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku thuhet se Gashi e falënderoi Letoninë për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në këto procese.
“Zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore ishin temë tjetër, ku u diskutua për ndikimin e tyre në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në aspektin e sigurisë. Me këtë rast zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore”.
“Po ashtu, ajo vlerësoi lartë angazhimin e delegacionit të Letonisë për të përkrahur Kosovën në projektet e saja, duke e forcuar më tej marrëdhënien miqësore dhe bashkëpunimin e frytshëm midis Republikës së Kosovës dhe Letonisë”, thuhet tutje në komunikatë.