Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu ka publikuar një video në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet një autoambulancë e cila ndalet pranë një turme njerëzish në veri të Mitrovicës.
Musliu ka pyetur se pse ndalon një autoambulancë me sinjalistikë të urgjencës në mes të rrugës, ku janë të mbledhur disa huliganë?
“Huliganët e hapin derën e “autoambulancës”, gjersa ajo e ndal sinjalistikën me zë, flasin me dikë brenda, dhe pas pak niset. Nuk shihet asnjë njeri “i sëmurë” që hyn në “autoambulancë”!”, ka shkruar Musliu.
Kujtojmë se këto ditë është ngritur një debat në opinion lidhur me pretendimet për kontrabandë të armëve nga Serbia për në Kosovë përmes autoambulancave.
Deputetja britanike, Alicia Kearns pak ditë më parë ka thënë se Serbia kontrabandën armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë.
Ajo madje tha se për këtë është në dijeni KFOR-i.
Por, KFOR-i të mërkurën në një përgjigje për Telegrafin mohoi një gjë të tillë. KFOR-i ka theksuar se nuk ka asnjë provë për atë që është raportuar, dhe se deputetja i referohet ngjarjes së vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier (regjiment ushtarak britanik), u punësua në Kosovë.
“Nuk ka asnjë dëshmi në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”, deklaroi KFOR-i.