Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Korrupsioni në Shëndetësi, Apeli i GJKKO merr vendimin për Joana Duron dhe tre të akuzuarit e tjerë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e ish-sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro. Mësohet se Duro është dënuar nga GJKKO me 4 vite burg, nga të cilat 1/3 ulet duke sjellë totalin në 2 vite e 8 muaj.

NJOFTIMI I APELIT TE GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“Deklarimin fajtor të të pandehurës D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T. do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr.75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 35 pika 1 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të tij.
Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen të pandehurve apelues solidarisht.