Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova drejt rrugës për anëtarësim në KiE dhe asociacioni si “pengesë”/ Çfarë roli mund të luaj Kushtetuesja në këtë mes?

 
   

Asociacioni po del të jetë problem për Kosovën. Dhe, kjo çështje po lidhet edhe me pranimin e Kosovës në KiE.

Së fundi, edhe kryeministri Albin Kurti në një deklaratë tij ka thënë se nuk është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, dhe të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë.

“Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë.

Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mos njohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet”, ka thënë Kurti gjatë një interviste për DW.

Lahu: Kemi një marrëveshje të Ohrit së cilës i qëndrojmë mbrapa dhe e cila po shkelet vazhdimisht nga Serbia

Lidhur me këtë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Vendenis Lahu në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Asociacioni dhe pika tjera në marrëdhëniet me Serbinë janë në marrëveshjen e Ohrit.

Ai ka thënë se Kosova i qëndron mbrapa këtyre pikave që po shkelen nga Serbia.

 Image
 Vendenis Lahu 
 

Madje, ai përmend edhe raportuesen për Kosovën znj. Bakoyannis e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne si institucione të Kosovës sigurisht se jemi për respektimin e të drejtave të qytetarëve tanë dhe sigurisht se edhe të pakicave por në të njëjtën kohë ne jemi për respektimin e rendit kushtetues të shtetit.

Sa i përket Asociacionit dhe pikave tjera në marrëdhëniet me Serbinë të dakorduara ndër vite ne kemi një marrëveshje të Ohrit së cilës i qëndrojmë mbrapa dhe e cila po shkelet vazhdimisht nga Serbia. Sa i përket Këshillit të Evropës, ne e kemi edhe qëndrimin publik të raportueses për Kosovën zonjën. Bakoyannis e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kjo është ajo që ka përsëritur kryeministri dhe mendoj se është e drejtë.

Sigurisht kjo nuk varet nga ne por nuk mendoj se është as i drejtë e as i shëndetshëm një kushtëzim potencial i tillë sepse ne po e shohim tashmë edhe me lëvizjet në Bosnje se edhe faktori ndërkombëtar i ka kuptuar disa nga gabimet e veta dhe se një republikë serbe brenda një shteti nuk është është zgjidhje as e mirë e as afatgjate por vetëm sa krijon bazë për tensione e probleme të reja, prandaj konform kësaj edhe presim që anëtarësimin në Këshill të Evropës pa kushte shtesë”, deklaron deputeti i LVV-së.

Lama: Qeveria do ta dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese, e pastaj për verdiktin do fajësojë Gjykatën

Por, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama mendon ndryshe nga deputeti Lahu.

 Image
 Alma Lama 
 

Ajo për gazetën “Bota sot” thotë se asociacioni është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Sipas saj, të gjitha tjerat që po “kamuflohen” nga qeveria janë justifikim para votueseve të tyre, duke aluduar se qeveria do ta dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese, e pastaj për verdiktin do fajësojë Gjykatën.

“Që asociacioni është kusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës tashmë është bërë e qartë nga disa vende të Kuintit. Por edhe pse qeveria nuk e ka artikuluar këtë kusht, duket se po i leverdis ky kushtëzim në aspektin politik që të kamuflojë anotacionin me anëtarësimin në KiE dhe të justifikohet para votuesve më lehtë për premtimin e tyre se nuk do ta bëjnë. Unë mendoj se qeveria do të veprojë, pra do ta çojë draftin në Gjykatë Kushtetuese, e pastaj për verdiktin do fajësojë Gjykatën.

Nëse nuk vepron, Kosova mund të mos futet në agjendën e ministrave të jashtëm të KiE në maj”, përfundon ajo për “Bota sot”.