Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kosova e ftuar të japë sugjerimet për draftin”/ Zëdhënësi i BE-së jep detaje të reja për themelimin e Asociacionit

 
   

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draft-propozim për formimin e Asociacionit dhe se tani pret që ajo të ndërmarrë hapa konkretë.

Siç ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano, pritet që së shpejti të fillojë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe

“Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, tha Stano për REL.

Ai përsëriti se draft-statuti i hartuar nga BE-ja është “një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave”.

“Ne presim që të dyja palët t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në këtë draft”, tha Stano.

Ndryshe, SHBA-ja e mbështeti draft-statutin që më parë iu paraqit Kosovës dhe Serbisë.

Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

Gjithashtu, ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Përveç draftit nga BE-ja, deri më tani janë hartuar edhe katër draft statute të tjera për formimin e Asociacionit: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, drafti i vizionit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drafti-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti i Asociacionit i përgatitur nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).