Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kosova e paaftë për t’u sjellë në mënyrë evropiane”, eurodeputeti i reagon sërish Stanos: Si guxon të flasë

Deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, që tha se Kosova ishte e paaftë për t’u sjellë në mënyrë europiane për shkak të tensioneve të fundit në veri, ka çuar në shumë reagime që kritikuan atë.

Një e fundit erdhi nga eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, i cili sërish shkroi në Twitter mbi këtë çështje.

“Gjuha, e cila po e përdor zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme Peter Stano, përbën skandal në vete. Kosova, thotë ai, ka treguar “paaftësinë për të filluar të sillet në mënyrë europiane”. Si guxon burokrati të flasë për qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës apo të ndonjë vendi tjetër?”, ka shkruar ai, duke përmendur Josep Borrellin në postim.

Eurodeputeti gjerman edhe mbrëmë ka kërkuar që Borrell të mbahet përgjegjës në Parlamentin Europian për deklaratën e Stanos, për të cilin tha se është zëri i shefit të tij.

“Çfarëdo marrëzie që zëdhënësi kryesor për punë të jashtme të BE-së shqipton, ai është zëri i zotërisë së tij – dhe Josep Borrell duhet të mbahet përgjegjës nga Parlamenti Europian për një politikë krejtësisht të dështuar, shumë të njëanshme dhe të padrejtë: qeverinë autoritare serbe që ai përqafon dhe Kosovën që ai kritikon dhe sanksionon”, ka shkruar ai mbrëmë në Twitter.

Në konferencë, Stano përmendi vendosjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se arsyeja për këtë ishte sjellja joeuropiane e Kosovës në tensionimin e situatës në veri.

“Dhe ajo që kemi bërë së fundi në dritën e eskalimeve aktuale është ndërmarrja e masave kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë së tyre që të nisin të sillen në një mënyrë europiane në deeskalim dhe për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për deeskalim”, tha ai.

Pas kësaj, pasoi pyetja e gazetares.

“Ju e përshkruat qasjen e Kosovës… thatë që po sillet në një mënyrë joeuropiane, a do të thoshit që po sillet edhe Serbia në këtë mënyrë?”, ishte pyetja e saj.

Stano nuk iu përgjigj direkt, por dha një përgjigje të përgjithshme se si duhet të sillen palët për t’i përmbushur synimet e tyre të deklaruara për integrim europian.

“Ne shumë herë kemi diskutuar të gjitha aspektet e ndryshme të sfidave në dialog dhe çështjet e ndërlidhura dhe ajo çfarë BE pret nga të dyja palët është një sjellje europiane dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje europiane dhe në fund të dyja duan t’i bashkohen Bashkimit Europian. Ato kanë deklaruar se integrimi europian është prioriteti i tyre strategjik”.

Zëdhënësi i BE-së tregoi edhe se si duket një sjellje europiane.

“Të sillesh në mënyrë europiane nënkupton të sillesh në mënyrë konstruktive në deeskalim dhe të jesh në gjendje të arrish kompromiset e nevojshme dhe konsensusin e nevojshëm. Ky është mesazhi që ne po përcjellim ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, sidomos në kontekstin aktual të menaxhimit konstant të krizave”.