Tash e disa muaj Kosova gjendet nën masat ndëshkuese të BE-së dhe këto masa nuk parashihen të hiqen ende.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka deklaruar se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk janë të kënaqura me hapat e ndërmarrë nga Kosova për një “de-eskalim kuptimplotë” të tensioneve. Kjo është arsyeja pse masat e ndërmarra kundër Kosovës janë ende në fuqi.
“Disa nga masat janë vendosur tashmë. Ne jemi gjithashtu të gatshëm kur vendet anëtare të pajtohen që t’i konsiderojmë masat jo vetëm ndaj Kosovës, por gjithashtu edhe ndaj Serbisë. Këto masa janë fleksibile. Ato mund të hiqen, mund të reduktohen në të njëjtën mënyrë siç mund të vendosen kur vendet anëtare të shohin se ka nevojë për to. Në këtë fazë ne kemi nevojë të shohim. E para, hapa drejt shtendosjes kuptimplote, kthim në dialog dhe kur bëhet fjalë për ngjarjet e 24 shtatorit hetime të plota dhe përfundimtare”, ka theksuar ai.
Kosova vazhdon të mbetet nën sanksione, por jo edhe Serbia pavarësisht sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u lënduan policë të tjerë të Koosvës.
Sa i përket kësaj, Stano ka thënë se vazhdojnë të presin rezultatin përfundimtar të hetimeve.
Ai ka ripërëritur se BE-ja pret bashkëpunim të plotë e të pakusht të Serbisë.
“Se si do ta bëjë këtë, mbetet te Serbia që të vendosë. Ka shumë rrugë të mundshme. Partnerët tanë në Serbi e dinë se çfarë duhet dhe çfarë pritet të bëjnë”, ka theksuar Stano.
Analistët politikë thonë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të lidhura me proces tjetër, ndryshe nga Serbia. Sipas tyre, sulmi terrorist i Serbisë është shumë i rëndë dhe nuk duhen bërë krahasime të tilla.
Haziri: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të lidhura me procesin zgjedhor në veri
Analisti politik, Nexhat Haziri
Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se mos shkuarja në zgjedhjet e parakohshme në katër komuna mu shumicë serbe, është arsyeja që Kosova ende vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese.
“Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të lidhura me procesin që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore atje, pra me tërheqjen e kryetarëve shqiptar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat me shumicë serbe, gjë që qeveria ka zgjedhur një metodë tjetër për të shkuar deri të zgjedhjet e parakohshme siç është peticioni i qytetarëve përmes së cilit kërkohet largimi i kryetarëve shqiptarë aktualë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky veprim i qeverisë nuk është vlerësuar nga BE-si plotësim i kërkesave të tyre, dhe po vazhdon të jetë preteks për mos heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës”, shprehet Haziri.
Sipas tij, sulmi i 24 shtatorit ka ndryshuar situatën në terren dhe në këtë situatë nuk mund të mbahen zgjedhjet.
Ai thotë se nëse BE nuk vepron konkretisht në ndëshkimin e Serbisë, atëherë humb kredibiliteti i saj në dialog.
“ Por ngjarjet e 24 shtatorit, sulmi terrorist ndaj Kosovës nga ana e një grupi kriminal që ishte i sponzorizuar dhe ndihmuar nga Serbia, sikur ka ndryshuar situatën në teren, ku në një situatë të tillë nuk mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme vendore. Përtej kësaj BE do të duhej që konformë zhvillimit të ngjarjeve nga 24 shtator e tutje, ku u dëshmua se Serbia qëndron pas grupit terrorist, do të duhej të ishte me e qartë dhe më e prerë për ta ndëshkuar Serbinë me masa sanksionuese për përgjegjësinë e saj në ngjarjen e 24 shtatorit. Deri sa BE nuk del dhe nuk vepron konkretisht në këtë drejtim, pra të ndëshkimit të Serbisë, atëherë kredibiliteti i saj si ndërmjetëse e dialogut Kosovë-Serbi, rrezikohet seriozisht dhe më këtë edhe vet procesi i dialogut”, pohon Haziri.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit vazhdon të hetohet, ndërsa pasojat për Serbinë mund të jenë të pa llogaritshme, kështu u shpreh Sërgjan Cvijiq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, duke komentuar agresinin e Serbisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se potenciali për ripërtëritje të konfliktit në Kosovë, por edhe në Bosnje-Hercegovinë, ekziston ende.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sanksione, por në fund të fundit edhe për rrezikimin e drejtpërdrejtë të pozitës negociuese ndërkombëtare të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe procesin e zgjerimit të BE-së. Në një kohë shumë të shkurtër për fajin e regjimit do të ktheheshim në gjendjen katastrofike që jetonim në vitet ’90”, ka shtuar Cvijiç. BE-ja tashmë ka “skicuar” disa nga “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit. Vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i presidentit serb në kryerjen e hetimeve në lidhje me sulmin.
Duhanaj: Kosova duhet të bëj ç’është e mundur që ta kërkojë dënimin maksimal për autorët
Analisti politik Leon Duhanaj
Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, thotë se Kosova duhet të bëj çfarëdo që është e mundur që të kërkojë dënim maksimal.
Sipas tij, çështja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës me masat ndëshkuese të mundshme ndaj Serbisë nuk ka krahasim.
“Ndërsa, sa i përket çështjes se sulmit terrorist ndaj Kosovës. Kjo temë duhet të trajtohet e ndarë dhe se Kosova duhet të bëj ç’është e mundur që ta kërkojë dënimin maksimal për autorët. Ky akt ka qenë shumë i rëndë dhe nuk do të ishte gabim i madh, nëse Kosova kërkon heqjen e masave duke bërë krahasime të tilla. Kjo çështje nuk ka krahasim dhe nuk guxon as të mendohet si e tillë. Gjëja me e rëndësishme që mund dhe duhet ta bëjmë, është të fokusohemi në adresimin e fajtorit të vërtetë e që është shteti serb. Sepse Serbia, po bën çmos që ketë temë ta relativizojë duke e fajësuar Radojqiqin e individ të tjerë, për ta hequr barrën nga shteti. Madje edhe dëme materiale do të merrte në përgjegjësi, vetëm të mos e marrë demin politik të përgjegjësisë. Prandaj, për ne si Kosovë, në radhë të çarë është e rëndësishme të gjendet shkaktari i vërtetë e që është shteti serb, e tek të kërkojmë masa ndëshkuese. Mbi të gjitha, duhet ta kuptojmë njëherë e mirë, se suksesi apo mossuksesi, varet nda aftësia jonë diplomatike, e që për fat të keq, me ketë qeveri e kemi edhe me shumë se zero”, deklaron Duhanaj.
Tutje, sipas tij, masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë ardhur si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të qeverisë.
“Ndërsa, për të analizuar situatën në mënyrë korrekte objektive, duhet trajtuar veç e veç. Së pari, ne duhet ta pranojmë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, erdhën si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të Qeverisë Kurti. Kjo qeveri, që nga aksioni harakiri për targat, nuk ka bë asgjë tjetër pos që ka dëmtuar interesin e Kosovës, duke u bërë shkaktare për çdo destabilizim që ka ndodhur në dy vitet e fundit. Pra, Kryeministri Kurti, me apo pa vetëdije, për 3 vite qeverisje, ka vallëzuar në orkestrën e Vuçiq, dhe edhe pse për kaq kohë jemi nën sanksione, Kurti nuk e ka parë të arsyeshme të ndryshojë asgjë në ketë drejtim”, shton Duhanaj.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur më 28 shtator pas tensioneve në veri të Kosovës me marrjen e mandateve të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri.
Masat e ndërmarra janë: pezullimi i përkohëshëm i punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.
“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor.