Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kosova ende nën sanksione, kaq milionë euro ka humbur vendi

 
   

Për gati një vit e gjysmë, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga vendosja e masave të Bashkimit Evropian, që kjo për opozitën po konsiderohet si dështim i Qeverisë Kurti rreth lobimit për heqjen e tyre. Të njëjtit ritheksojnë se rreth 300 milionë euro janë të bllokuara aktualisht nga masat e BE-së. Ndonëse, edhe deputetë të partisë në pushtet kërkojnë nga BE heqjen e masave. Kp lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala derisa ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje, ka bërë thirrje qeverisë të krijojnë mundësitë e lobimit dhe të sqarimit që Kosovës nuk i duhen këto masa.

Shala: Qeveria tashmë do duhej të reflektonte edhe pse është vonuar shumë

“Defenitivisht Qeveria tashmë do duhej të reflektonte edhe pse është vonuar shumë, tej mase, në raport me komunikimin dhe partnerët strategjik evropian dhe domosdoshmërisht që masat duhet të hiqen. Bëjmë thirrje qeverise, institucioneve të shtetit të cilat kanë kompetencë dhe ngrehin që me dinamikë të shtuar të shtrojnë mundësitë e lobimit dhe të sqarimit që Kosovës nuk i duhen masat. Janë vendosur si rezultat i keqqeverisjes dhe keq menaxhimit të Qeverisë Kurti e cila tash në fund të mandatit po orvatet që të rikthejë poziciononin që ka pas dikur Kosova”, thotë Shala.

Ndërsa, shton se vendi ka humbur qindra milionë euro investime si rezultat i vendosjes së masave nga BE.

Shala: Ne kemi humbur shumë, qindra milionë euro investime, diku rreth 300 milionë euro janë të bllokuara

“Ne kemi humbur shumë, qindra milionë euro investime, diku rreth 300 milionë euro janë të bllokuara aktualisht, kemi humbur dhjetëra fonde tjera të cilat kemi mundur gjatë këtij mandati t’i thithim sidomos në pjesën e infrastrukturës dhe të mjedisit, kemi humbur partnerë strategjik, kemi humbur anëtarësimin në disa organizata evropiane dhe ndërkombëtare dhe mbi të gjitha kemi humbur kredibilitetin dhe largimin e investitorëve strategjik të cilët për këtë mandat qeverisës asnjë nga ta nuk ka ardhur në Kosovë për shkak politikave neglizhuese të qeverisë në raport me ekonominë dhe me politikat zhvillimore të vendit”, shton Shala.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Pal Lekaj derisa ka fajësuar qeverinë aktuale për masat, thotë se ka shumë projekte që kanë ngecur për çfarë po dëmtohen edhe qytetarët.

Lekaj: Sa i përket masave të BE-së, mendoj se kjo qeveri i ka sjellë ato masa dhe i ka dëmtuar qytetarët

“Sa i përket masave të BE-së, mendoj se kjo qeveri i ka sjellë ato masa dhe i ka dëmtuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne si opozitë i themi edhe BE-së nuk duhet që të dënohen qytetarët e Republikës së Kosovës, por duhet personalisht qeveria, sepse me veprimet e tyre e kanë vendosur në rend të dytë qytetarin, dhe për masat që kanë marrë ata, është faji i qeverisë dhe askujt tjetër. Me këtë qeveri për katër vite nuk kemi pa diçka të mirë, ka shumë projekte që kanë ngecur, mund të them lirshëm se kjo qeveri asnjë të mirë nuk ja ka sjellë vendit dhe qytetarëve, përpos asaj që ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës por edhe qytetarët”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, nga pushteti presin që me funksionalizmin e plotë dhe me fillimin e punës dhe vendimmarrjes në Komisionin e Evropian të shqyrtohet seriozisht jo vetëm kërkesa e Kosovës për heqjen e masave por edhe anëtarësimi i Kosovës për status të vendit kandidat për BE-në.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se tashmë ka humbur ‘kuptimi’ i mbajtjes së masave në fuqi.

Kusari-Lila: Tashmë ka humbur çdo sens i mbajtjes së masave në fuqi.

 

“Masat e BE-së tashmë janë treguar se e para janë të pavend dhe e dyta që nuk kanë pasur vlerësim as në kohë as në veprime, d.m.th për arsyeje për të cilët janë vendosur. Të gjitha arsyet tashmë kanë pushuar së ekzistuari. D.m.th nuk kemi të bëjmë me një situatë të cilën ata kanë pretenduar se është krijuar në veri, qeveria ka bërë të gjitha hapat e mundshme për t’i mundësuar një proces zgjedhor sikur të dëshironin të ishin pjesëmarrës edhe qytetarët e katër komunave në veri, ajo nuk ndodhi. Prandaj, jo që nuk shohim asnjë arsyeje tashmë për t’u mbajtur, në rend të parë ato nuk kanë qenë të arsyeshme kur janë vendosur, por tashmë ka humbur çdo sens i mbajtjes së masave në fuqi. Andaj, presim që me funksionalizmin e plotë dhe me fillimin e punës dhe vendimmarrjes në Komisionin e ri Evropian të shqyrtohet seriozisht jo vetëm kërkesa e Kosovës për heqjen e masave por edhe anëtarësimi i Kosovës për status të vendit kandidat për BE-në”, thotë Kusari-Lila.

Kujtojmë se, Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.