Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka deklaruar se janë plotësuar tri kërkesat e BE-së që dalin nga marrëveshja e Bratislavës midis zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, për de-eskalimin e situatës në veri.
Kryeziu për median ka thënë se Qeveria ka përmbushur fillimisht dy hapat e parë duke tërhequr 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri. Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale. Si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera.” – ka bërë të ditur Kryeziu.
Ai tutje ka njoftuar se pika e tretë është drejtë përmbushjes, pasi Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme
“Ndërkaq në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, ne tashmë kemi themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.” – ka shtuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës për RTV21.
Ndër të tjera, Kryeziu ka parashtruar pyetje në drejtim të BE-së, “çfarë po kërkon më shumë nga Kosova.”
Ai gjithashtu ka parashtruar pyetje se edhe çfarë ka bërë Serbia drejt de-eskalimit të situatës në veri.
“Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Një pyetje me rendësi që duhet të ngritët është se çfarë ka bërë Serbia për deeskalimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE. Kjo së bashku me pyetjen se çfarë po kërkon më shumë BE-ja nga Kosova, është më së miri t’i parashtrohet BE-së. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastislavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren.” – ka përfunduar Kryeziu.