Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është ende në finalizim të raportit për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në BE thonë se së shpejti raporti do t’i dorëzohet vendeve anëtare, mirëpo shtojnë se s’ka një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo. Pavarësisht kësaj, në Qeverinë e Kosovës deklarojnë se raporti do t’i dorëzohet Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe se rekomandimi pritet të jetë pozitiv. Heqjen e masave ndëshkuese e presin edhe analistët politikë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se raporti për masat ndaj Kosovës ende nuk është dorëzuar dhe s’ka një datë se kur do të ndodh kjo. Megjithatë, deklaron se raporti do t’i dorëzohet së shpejti vendeve anëtare.
“Raporti nuk është dorëzuar ende dhe asnjëherë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo. Në konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023. Këshilli (Shtetet Anëtare të BE-së) ftoi Përfaqësuesin e Lartë Borrell që të paraqesë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Raporti është ende në finalizim dhe së shpejti do t’u paraqitet Shteteve Anëtare në Këshill”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Vlerësime pozitive për heqjen e masave ndëshkuese pret analisti politik, Dorajet Imeri.
Ai deklaron se Bashkimi Evropian duhet të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës sa më shpejtë.
Imeri: Bashkimi Evropian duhet që me urgjencë të trajtojë largimin e menjëhershme të masave
“Bashkimi Evropian duhet që me urgjencë të trajtojë largimin e menjëhershme të masave që ka vendosur ndaj Kosovës. Për shkak të vendosjes së institucioneve dhe ri mbajtës së zgjedhjeve në veri. Çdo vonim i mëtejmë i këtyre masave do të nënkuptonte një dënim të pashembullt për Kosovën që nuk është proporcionale me atë siç evropianët mund të procedojnë si pa dëgjueshmëri”, thotë ai.
Në anën tjetër nga ekzekutivi janë optimist se në raportin e Borrell rekomandohet largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ditë më parë, zëvendëskryeministri për integrime evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi tha se ka informacione se përmbajtja e raportit të Borrell do të jetë pozitive.
Bislimi: Përmbajtja e raportit të Borrel është pozitive, do të rekomandohet heqja e masave
“Në bazë të informacioneve që neve na kanë ardhur raporti i zotëri Borrel, i cili është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian është përpiluar që nga muaji prill, mirëpo ka pasur hezitime që i njëjti të dërgohet në komision për shkak se si duket ka ende disa individë brenda komisionit të cilët kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës… Unë besoj që i njëjti do të dërgohet për aprovim në këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, deklaroi ai.
Dëmet që iu kanë shkaktuar Kosovës nga masat ndëshkuese sipas raportimeve llogariten të jenë rreth 300 milionë euro
Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.