
Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni ka shprehur ngushëllimet më të thella për Qeverinë dhe popullin e Republikës së Koresë së Jugut, pas ngjarjes tragjike që ka prekur këtë vend, ku së paku 24 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i zjarreve masive në shumë pjesë të këtij vendi.
Në një mesazh të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada e Kosovës ka përcjellë solidaritetin dhe mbështetjen e popullit të Kosovës për familjet e viktimave dhe të lënduarit.
“Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për Qeverinë dhe popullin e Republikës së Koresë dhe të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e pikëlluara dhe të lënduarit. Republika e Kosovës qëndron pranë Republikës së Koresë së jugut në këtë moment të dhimbshëm”, thuhet në deklaratë.
Sipas autoriteteve koreane shumica e viktimave janë persona të moshës 60-70 vjeçare, teksa 26 persona tjerë janë plagosur, prej të cilëve 12 janë në gjendje kritike. Ndërkohë, më shumë se 23,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.