Kosova është pajtuar me një pjesë të propozimit amerikan për çështjen e dinarit, tha presidentja Vjosa Osmani, që shpreson në një marrëveshje për këtë nesër në Bruksel, ashtu siç tha se pret edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në shkurt refuzoi të shkonte në kryeqendrën europiane për të diskutuar për çështjen e dinarit, nesër do të jetë atje për takimin me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi do të jetë nesër në Bruksel për raundin e ri të dialogut me Serbinë. Nga Beogradi atje shkon Petar Petkoviq. Temë kryesore do të jetë çështja e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (në fuqi nga 1 shkurti), e cila ndër tjerash, parasheh heqjen e dinarit serb nga përdorimi në vend.
Presidentja Vjosa Osmani tha sot se “është urgjente që kjo çështje të zgjidhet”, ndërsa njoftoi se është arritur një pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë. SHBA-ja kërkon pezullimin.
Osmani tha se do të ishte ideale që nesër kryenegociatorit ta arrinin një marrëveshje për çështjen e dinarit.
“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit nga ajo që jam e informuar deri më tani dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA-në pajtohen që të mos të ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë dhe edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato dërgesa edhe ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia. Pra, tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinar. Dhe kjo mendoj që e zgjidhë një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën, sepse çështja ka qenë sit ë zbatohet neni 11 i Kushtetutës që kërkon që në Kosovë të ketë vetëm një valutë e ajo është euroja”, tha ajo gjatë një vizite në Lipjan.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se po shpreson për një marrëveshje në Bruksel për çështjen e dinarit.
“Unë ende jam duke shpresuar që, kur kryenegociatorët të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha diplomati amerikan në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Janë disa opsione të cilat Escobar i ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti javën e kaluar në Prishtinë. Por, siç tha ai, ato nuk do mund të realizohen shpejt. Kështu, kërkoi sërish shtyrjen e zbatimit të rregullores.
“Për këtë arsye, ne po kërkojmë shtyrje të zbatimit”, tha ai.
Bislimi një herë refuzoi të nisej për në Bruksel për dinarin, nesër shkon
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Bashkimit Europian për rundin e ri të dialogut me Serbinë që do të mbahet nesër.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i kryenegociatorit, konfirmoi javën e kaluar se Bislimi do të shkojë në takim. tha se agjenda do të jetë e fokusuar në diskutimet për marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e saj të zbatimit.
Por në shkurt, Bislimi kishte refuzuar të shtonte në Bruksel për të folur për çështjen e dinarit.
Zëvendësi i Kurtit pati thënë më 21 shkurt se takimi për dinarin nuk ishte takim në të cilin ai duhet të shkonte.
“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ishte shprehur ai gjatë një tryeze me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.
Bislimi thoshte se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me dërgimin e asaj ftese kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, ishte “hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”.
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan pa sukses në Bruksel në fund të shkurtit. Në atë takim shkoi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.