Mbrëmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë “goditje” Republikës së Kosovës, duke e përjashtuar nga një prej ushtrimeve më të mëdha ushtarake, “Defender Europe”.
Madje, sipas ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, kjo është vetëm një nga sanksionet e tjera që ShBA do të ndërmarrë ndaj Kosovës, nëse nuk vepron menjëherë në de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.
Hovenier mbrëmë deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka ndërmarrë hapa të pakoordinuar dhe ai duhet të kuptojë se pasojat janë të menjëhershme, raporton Indeksonline.
Ambasadori amerikan tha gjithashtu për momentin do të ndalen udhëtimet zyrtare mes ShBA-së dhe Kosovës, duke shtuar se nuk do të lobohet për njohje të reja.
Në anën tjetër, kryeministri Albni Kurti mbrëmë iu adresua qytetarëve përmes një video-mesazhi, duke thënë se shteti nuk i nënshtrohet “milicisë fashiste” të Vuçiqit, por që nuk e zuri fare në gojë përjashtimin nga “Defender Europe”.
Megjithatë, një reagim zyrtar nuk ka ardhur akoma nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Me kompetencat që ka si presidente, Osmani mban në dorë “fatin” e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila qysh nga 21 maji ka qenë nikoqire e një prej trajnimeve më të mëdha ushtarake të NATO-s.
“Defender Europe” ka sjellur në Kosovë trupa ushtarake të 25 shteteve aleate të NATO-s, për të përformuar ushtrime të rëndësishme ushtarake përkrah FSK-së.
Por, përjashtimi nga “Defender Europe” nuk duket se i ka penguar Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n, të paktën tani për tani.
“Ushtria jonë është ngritur para se gjithash duke pasë mbështetje të fuqishme nga ShBA-të, jam i bindur që zhvillimi i mëtutjeshëm i yni do të vazhdojë edhe më tutje. Ne ndajmë vlera dhe parime të njëjta, paqe dhe siguri për të gjithë pa dallim. Anëtarësimi ynë në NATO mbetet prioritet për ne sepse vetëm kur të arrihet kjo mund të kemi paqe të qëndrueshme” ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas përjashtimit nga “Defender Europe”.