Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë.
Sipas ASK-së, në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë qytetarë, teksa në sy bie rritja e moshës mesatare për afro 5 vjet.
“Në vitin 2011, mosha mesatare ishte 29,97 vjet, kurse në vitin 2024, sipas të dhënave preliminare mosha mesatare është 34.82 vjet (rritje për 4.85 vjet)”, tha Avni Kastrati, ushtrues i detyrës së drejtorit të ASK-së.
Më tej, Kastrati tha se grupmosha që dominon në regjistrimin e fundit është ajo 20-24 vjeç, për dallim nga viti 2011 ku dominonte grupmosha 10 deri në 19 vjeç.