Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova strehon 68 afganë

 
   

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se kjo ministri ka pritur dhe akomoduar sot 68 afganë, për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme.

“Bazuar në vendimin e mbledhjes së 220-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të disa shtetasve afganë dhe familjarëve të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka pritur dhe akomoduar sot 68 prej tyre në kuadër të këtij procesi”, shkruan Sveçla në Facebook.

Ai shprehet se duke e ditur populli i Kosovës nevojën e mbështetjes dhe strehimit, sot ata po hapin dyert për ata që kanë nevojë.

“Ky veprim është në vazhdimësi të angazhimit të Qeverisë sonë ndaj krizës në Afganistan, duke ofruar mbrojtje dhe strehim për individët në rrezik nga konfliktet e brendshme.  Duke mos harruar faktin që populli ynë para çerek shekulli ka ndjerë nevojën e mbështetjes dhe strehimit dhe i është mundësuar ajo, sot hapim edhe ne dyert për ata e ato që kanë nevojë. Ky proces po vijon me sukses sipas planit operacional dhe në përputhje me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare”, ka deklaruar shefi MPB-së.