Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duhet të ruajë qetësinë publike, nuk duhet të flasë aq lehtë për një luftë të mundshme kundër Serbisë. Sepse një retorikë e tillë vetëm sa e shton tensionin e brendshëm në Kosovë, kur nuk ka arsye të supozohet se do të shpërthejë sërish lufta.
Disa muaj më parë, gjatë një interviste për televizionin “Al Jazeera”, kryeministri i Kosovës pretendoi se sulmi i 24 shtatorit 2023 ndaj policisë së Kosovës nga serbë të armatosur në veri të vendit ishte planifikuar nga presidenti serb Aleksandar Vucic në një përpjekje për ta “destabilizuar” Kosovën me shpresën e rifillimit të luftës.
Një deklaratë e tillë nuk i shërben interesit të publikut, dhe nuk prodhon përfitime politike apo strategjike për të. Jo vetëm kaq, por presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic nuk ka asgjë për të fituar duke nisur një luftë të re kundër Kosovës.
Nëse do të ndodhte kjo ai vetëm sa do të poshtërohej nga NATO, e cila është e përkushtuar ndaj sigurisë së shtetit të Kosovës. Një sektor shumë i zhvilluar i Teknologjisë së Informacionit (TIK) po e ndihmon Kosovën që të mbajë nivele të qëndrueshme të rritjes ekonomike.
Ndërsa Vucic vazhdon që të mbajë marrëdhënie shumë të ngushta me Vladimir Putinin, ai vlerëson shumë marrëdhëniet e Serbisë me SHBA-në, dhe nuk do të ndërmerrte një veprim të tillë të pamatur. Siç e deklaroi vetëm kohët e fundit: “Për ne është e një rëndësie të madhe që të mos prishet paqja në rajon dhe që Serbia do të vazhdojë të sillet me përgjegjshmëri dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”.
Ai shtoi se Serbia dhe SHBA-ja do të punojnë për të ruajtur marrëdhëniet dypalëshe. Për më tepër, Vucic e di se në fund të fundit, aleanca e Serbisë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në vend të asaj me Rusinë, do t’i shërbejë më së miri interesave kombëtare afatgjata të Beogradit.
Një Serbi vërtet e përgjegjshme?
Aleksandar Vucic dëshiron të projektojë fuqi dhe një lidership të arsyeshëm për të forcuar pozitat e tij brenda vendit, duke i treguar njëkohësisht Perëndimit se ai është një udhëheqës i përgjegjshëm, që do të përpiqet gjithmonë të ruajë stabilitetin rajonal.
Ai tha së fundmi se “për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjshmëri dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”. Por nga ana tjetër, ai premtoi se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, përfshirë sistemet kundërajrore, avionët luftarakë dhe dromët.
Ndërkohë i pëlqen jo pak të tregojë muskujt, pasi ka zhvendosur disa herë një pjesë të vogël të trupave serbe në kufi me Kosovës, lëvizje që janë cilësuar si armiqësore nga trupat e misionit të NATO-s në vend.
Nuk ka nevojë që të merren si të mirëqena fjalët e Vucic. Një analizë më e afërt në mjedisin e përgjithshëm politik dhe ushtarak të Ballkanit, sugjeron se asnjë vend në rajon nuk dëshiron që të rrisë tensionin, i cili mund të përshkallëzohej aksidentalisht në një konflikt të dhunshëm. Vendimi i NATO-s në fillim të tetorit 2023, për të dërguar 200 ushtarë britanikë dhe 130 ushtarë rumunë shtesë për të përforcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë nuk është i një rëndësie të tillë që të synojë të pengojë Beogradin në rastin e një agresioni.
Vucic i kupton plotësisht rreziqet e mëdha që i kanosen atij dhe vendit që drejton, në rast se del jashtë linjës së përcaktuar nga Perëndimi. Qëllimi i shtimit të forcave të NATO-s në Kosovë, që po shoqërohet edhe me blerjen e dronëve dhe raketave antitank, kryesisht nga Turqia, është mbajtja nën kontroll e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, siç e deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në këtë kuadër, vendimi i SHBA-së për t’i shitur Kosovës 240 sisteme raketore portative “Javelin”, që mund të shkatërrojnë tanke dhe mjete të tjera të blinduara, synon enkas t’i dërgojë një mesazh presidentit të Rusisë Vladimir Putin, se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për të përmirësuar sigurinë e partnerëve të saj evropianë, gjë që është jetike për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.
E megjithatë, kur kosovari i zakonshëm bën bashkë paralajmërimin e Albin Kurtit për një luftë të mundshme me Serbinë, dërgimin e më shumë forcave paqeruajtëse të NATO-së dhe shitjen e raketave “Javelin” nga SHBA-ja, mund të arrijë në përfundimin se ato janë realisht shenja të një lufte të afërt me Serbinë.
Në fakt, gjëja e fundit që dëshiron Aleksandar Vucic është një luftë kundër Kosovës, e cila do të tërhiqte menjëherë edhe NATO-n. Do të ishte një luftë, të cilën Serbia jo vetëm që do ta humbte rëndë, por njëkohësisht do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme perspektivën e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Ndaj ky është një skenar që Vucic dëshiron ta shmangë me çdo kusht.
Është koha që Kurti të tregohet shumë i matur
Ndonëse kryeministri Albin Kurti është i detyruar të garantojë sigurinë kombëtare të Kosovës, ai duhet ta shohë atë në kontekstin e përkushtimit të përgjithshëm të NATO-s për stabilitetin e Ballkanit, dhe se si mund të ndikojnë konfliktet e tjera në këtë stabilitet.
Edhe pse trazirat në Lindjen e Mesme nuk kanë gjasa të përhapen në Ballkan, Shtetet e Bashkuara po tregojnë me të drejtë, me fjalë dhe vepra, se e marrin shumë seriozisht sigurinë dhe zhvillimin e ngjarjeve në rajonin e Ballkanit, dhe se ato do të veprojnë menjëherë për të parandaluar ndonjë llogaritje të gabuar nga një armik i mundshëm, dhe sidomos nga Rusia.
Shitja e raketave “Javelin” nga SHBA për të shtuar forcat e armatosura të Kosovës, nuk do të jetë dërgesa e fundit e pajisjeve ushtarake. Furnizime të tjera me pajisje ushtarake do të pasojnë, teksa Forcat e Sigurisë së Kosovës synojnë të kalojnë në një forcë ushtarake profesionale deri në vitin 2028, më synim përmbushjen e standardeve të NATO-s.
Për këtë arsye, Kurti do të bëjë mirë ta marrë me rezerva atë që thotë apo bën presidenti serb. Aleksandar Vucic nuk është i interesuar të konfliktohet dhunshëm me Kosovën, pasi ai është jashtëzakonisht i vetëdijshëm se në këtë skenar humbjet e tij do të tejkalonin çdo lloj përfitimi.
Prandaj, deklarimi publik i Kurtit se Serbia po planifikon të nisë një luftë të re kundër Kosovës, nuk bën gjë tjetër veçse shkakton një tension dhe stres të panevojshëm publik, e destabilizon ekonominë dhe krijon tek popullata një nxitim për të grumbulluar sa më shumë mallra që nuk prishen.
Veprime të tilla nxitin shpesh inflacionin, krijojnë shqetësime financiare dhe tensione sociale. Në rast se paralajmërimi i Albin Kurtit për një luftë të mundshme kundër Serbisë, nuk është bërë qëllimisht për të forcuar pozitën e tij politike dhe për të grumbulluar qytetarët rreth tij në një vit zgjedhor, gjë që unë nuk besoj se është kështu, ai duhet ta dijë që tani se Vucic flet vërtet me zë të lartë, por në dorë mban një shkop të vogël.