Për qëllimin përfundimtar të kompleksit turistik Rajska Banja në veri të Kosovës do të vendosë Ministria e Brendshme e vendit, tha të mërkurën kreu i saj, Xhelal Sveçla.
Një ditë më herët, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), me ndihmën e forcave policore, e mori nën kontroll këtë kompleks.
AKP-ja pretendon se ai gjendet në tokën që është në pronësi të kompanisë Trepça Standard nga Mitrovica e Veriut, e cila është nën administrimin e saj.
Trepça Standard, bazuar në një hulumtim të Institutit për Zhvillim dhe Çështje Evropiane (RIDEA) të vitit 2019, ka qenë më herët përgjegjëse për përgatitjen e ushqimit për punonjësit e minierës Trepça në veri të Kosovës, si dhe për aktivitetet e tyre rekreative, kulturore dhe edukative.
Nga AKP-ja i thanë REL-it se vendimi për marrjen e kompleksit pasoi kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për ta marrë objektin në menaxhim.
Përndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit i menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore në Kosovë dhe pohon se është pronarja e vetëme e këtyre aseteve.
Kompleksi Rajska Banja gjendet në Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Fshati Banjskë mori vëmendje të posaçme në shtator të këtij viti, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrje në sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në ambientet e kompleksit Rajska Banja, Policia e Kosovës arrestoi atëkohë dy persona për armëmbajtje pa leje.
Burime në Qeverinë e Kosovës konfirmuan për REL-in se institucionet do të vazhdojnë me aksione për rikthimin e pronave në veri, por nuk specifikuan saktësisht se për cilat prona bëhet fjalë.
Kush e rinovoi Rajska Banjën?
Rinovimi dhe ndërtimi i kompleksit Rajska Banja filloi në vitin 2015 nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën.
Drejtori i kësaj zyre në atë kohë, Marko Gjuriq, nënshkroi kontratë për rinovim me Dioqezën e Rashkës-Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe me kryetarin e autoritetit të përkohshëm të Zveçanit, që funksionon në sistemin e Serbisë, Ivan Todosijeviq.
Kompleksi u hap në vitin 2019.
Zyrtarët serbë thanë se Qeveria e Serbisë ka investuar rreth shtatë milionë euro në këtë projekt.
Ministri Sveçla tha se investimi në të ka qenë i jashtëligjshëm.
“Se dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj se është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë”, tha Sveçla të mërkurën, në konferencën për gazetarë.
Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kompleksi Rajska Banja i përket ndërmarrjes Trepça Standard.
Hajdari, i cili ishte shef i AKP-së kur u rinovua Rajska Banja, tha se, në atë kohë, agjencia ishte informuar nga përfaqësuesit lokalë se rinovimin janë duke e bërë banorët vendas me mjete të mbledhura nga organizatat joqeveritare – të gjitha për interesa të banorëve vendas – dhe se nuk është investim i Republikës së Serbisë.
Në atë kohë, shtoi ai, kontrollet në veri thuajse nuk ekzistonin.
“Ne, edhe në atë kohë, i kemi njoftuar zyrtarisht se çfarëdo investimi në rinovim për funksionalizimin e këtij kompleksi, nuk do të nënkuptojë kurrfarë detyrimi për kompensim apo ndonjë privilegj tjetër, në rastin kur aseti do të kthehej nën kontroll të plotë të AKP-së”, tha Hajdari.
Por, shtoi ai, “fakti që në premisat e këtij kompleksi është gjetur armatim”, gjatë dhe pas aksionit në Banjskë, i obligon institucionet e Kosovës që “të konfiskojnë çfarëdo objekti apo pasurie që është shfrytëzuar për të kryer një vepër penale, apo për ta ndihmuar atë”.
Prishtina dhe Beogradi kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta sa i përket pronës në Kosovë – të dyja vendet pretendojnë se e zotërojnë atë.
Çfarë u tha në Serbi?
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se me marrjen në menaxhim të Rajska Banjës, Prishtina zyrtare konfirmoi “qëllimin e pushtimit gjithëpërfshirës të veriut të Kosovës dhe Metohisë dhe se Serbia nuk ka të drejtë t’i ndihmojë njerëzit e saj në asnjë mënyrë”.
Ai tha se kompleksi turistik dhe rekreativ, Rajska Banja, është një nga investimet strategjike të Beogradit në veri të Kosovës.
“Në këtë mënyrë, serbëve iu tha edhe një herë nga Prishtina se nuk kanë të drejtë në zhvillimin e komuniteteve të tyre lokale, as të drejtë për punë dhe sigurim social”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se për zhvillimet rreth Rajska Banjës e ka informuar edhe bashkësinë ndërkombëtare.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, Dragisha Mijaçiq, tha për Radion Evropa e Lirë se Rajska Banja nuk është ndërmarrje shoqërore e formuar para luftës në Kosovë dhe se, për këtë arsye, Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka të drejtë ta menaxhojë atë.
Duke vënë në dukje se nuk ka ende informacione të mjaftueshme, Mijaçiq tha se beson se vendimi i AKP-së është “i paligjshëm”.
Sipas tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka asnjë autoritet mbi objektet e Rajska Banjës.
Çfarë thuhet në libra?
Rajska Banja u regjistrua si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Kosovë në qershor të vitit 2016.
Megjithatë, që nga qershori i vitit të kaluar, statusi i saj është “pasiv”.
Person përgjegjës në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve është Aleksandar Zllatkoviq, si drejtor i Rajska Banjës.
Si drejtor, Zllatkoviq ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e hapjes së hotelit në Rajska Banjë në korrik të vitit 2019.
Nga ana tjetër, Rajska Banja u regjistrua në Agjencinë e Regjistrave të Bizneseve në Serbi në mars të vitit 2020.
Vendimi për themelimin e këtij subjekti afarist u mor në shkurt të vitit 2020 nga autoriteti i përkohshëm i Komunës së Zveçanit – i cili funksionon në sistemin serb – si themelues i vetëm.
Drejtor i kompanisë Rajska Banja u emërua Danillo Dellibashiq, por në fund të dhjetorit, 2021, erdhi deri te ndërrimi i përfaqësuesit ligjor dhe në pozitën e drejtorit u emërua Mashan Illiq.
Këtë vit, më 29 maj, ndodhi një ndryshim tjetër dhe Marko Saviq e mori postin e drejtorit.
Vetëm dy javë para marrjes së kësaj pozite, më 16 maj, 2023, Saviq themeloi kompaninë e tij me emrin Rajska Banja 028, e cila gjithashtu u regjistrua për qëllime hotelerie dhe akomodimi.
Adresa është e njëjtë me personin juridik të regjistruar në Komunën e Zveçanit, gjegjësisht Banjska BB, Komuna e Zveçanit.
Vitin 2022, Rajska Banja e mbylli me të ardhura rreth 248 mijë euro dhe mesatarisht shtatë punëtorë.
Çështja e pronave dhe investimeve të Serbisë përmes Asociacionit
Çështja e investimeve serbe në Kosovë, por edhe ajo e pronës janë të rregulluara me draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, formimi i të cilit pritet ende.
Për këtë asociacion u ra dakord në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa draft-statuti për formimin e tij iu prezantua Prishtinës dhe Beogradit në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Draft-statutin e pranuan të dyja palët.
Dokumenti parasheh mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga Serbia dhe “një kanal efektiv të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.
Rrjedhimisht, Asociacioni mund të financohet nga buxheti i tij, kontributet nga anëtarët e tij, institucionet qendrore, donacionet dhe mbështetja financiare nga institucionet e tjera vendase ose ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.
Ai do të mund të planifikojë dhe zbatojë projekte infrastrukturore me investime nga Serbia.
Do të ketë autoritet të plotë në nivel lokal, kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik, dhe do të ofrojë ndihmë financiare në atë fushë.
Kompetenca të plota në nivel lokal do të ketë edhe për planifikimin hapësinor – urban dhe rural.
Në pjesën që lidhet me të drejtat e pronësisë thuhet se Asociacioni mund të jetë pronar i pasurive të paluajtshme, të jetë bashkëpronar i shoqërive që ofrojnë shërbime lokale, si dhe të lidhë kontrata.
Por, theksohet se komunat anëtare nuk mund ta transferojnë pronësinë e pronës së paluajtshme tek Asociacioni.
Cilat prona të tjera në veri janë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit?
REL-i pyeti AKP-në se cilat ndërmarrje apo prona të tjera në veri të Kosovës janë në pronësinë e saj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në një hulumtim të organizatës joqeveritare Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (INTER), të vitit 2022, me titull “Privatizimi në Kosovë nga perspektiva e komunitetit serb”, thuhet se “ka shumë ndërmarrje shoqërore në komunat në veri të Kosovës që nuk janë marrë zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e që ende funksionojnë brenda sistemit juridik të Republikës së Serbisë”.
Në hulumtimin e INTER-it thuhet, po ashtu, se në shumë ndërmarrje shoqërore në veri “prodhimi ka filluar me ndihmën e mjeteve të Qeverisë së Republikës së Serbisë, para së gjithash përmes subvencioneve të ndara përmes Zyrës për Kosovë dhe Metohi”.
“Edhe pse ka sfida të shumta në funksionimin e këtyre kompanive, kryesisht për shkak të dualitetit të sistemit ligjor dhe problemeve në furnizimin me lëndë të parë, shumë prej tyre operojnë me një numër të konsiderueshëm punonjësish”, thuhet, mes tjerash, në hulumtim./REL