Një shtetas nga Kosova, është arrestuar nga Policia e Shtetit në Sarandë, pasi kishte mbajtur të mbyllur në banesën e tij gjashtë shtetas italianë.
Sipas policisë, J.A., 59-vjeç këtë veprim e ka bërë pasi italianët që po banonin në banesën e tij me qera i kanë dëmtuar pajisje.
“Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit. Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti. 59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament”, thuhet nga Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”./teve1.info/