Në Kosovë gjatë vitit 2023 janë regjistruar 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Siç njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, njohës të fushës e cilësojnë vitin e kaluar ndër më sfiduesit në dekadën e fundit për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në tërësi.
Venera Xhoxhaj, punon si gazetare prej më shumë se 20 vjetësh. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ajo thotë se 2023-a, ishte ndër vitet më sfiduese për të.
“Kjo lidhet patjetër me ngjarjet në veri, me raportimet nga zonat atje, sepse ky vit nuk ka qenë i lehtë për të raportuar nga një situatë ku herë pas herë ka pasur ngritje të tensioneve dhe ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj mediave”, thotë ajo.
Tensionet në veri shpërthyen në muajin maj pasi forcat policore shoqëruan për në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të katër komunave më shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga partitë politike serbe.
Me 16 qershor të vitit 2023, Venera dhe ekipi i saj nga Radio Televizioni i Kosovës, u sulmuan ndërsa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në zyrën e kryetarit të komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata ishin pjesë e një grupi gazetarësh që sipas raportit të policisë “u sulmuan fizikisht në mënyrë brutale nga individë apo grupe kriminale”.
“Në momentin kur ka ndodhur sulmi fillimisht ka pasur një shok bombë dhe kemi filluar të vrapojmë për t’u larguar normalisht sepse e kemi parë se situata po tensionohet dhe grupet janë nisur drejt mediave. Gjuajtjet me gurë na kanë goditur gjithsesi gjithandej nëpër trup, në kokë, qafë e shpinë. Pra jam rrëzuar përtokë, jam goditur me gurë, jam trishtuar shumë, nuk kam besuar realisht që mund të dalim nga gjithë ajo situatë që është krijuar”, rrëfen Venera.
Ajo thotë se ngjarja, në të cilën u lëndua rëndë kolegu i saj, kameramani Bardh Bekteshi, e ka rënduar emocionalisht.
“Unë nuk e kam parë ndonjëherë në jetën time telefonin tim të mbushur me aq shumë mesazhe, me aq shumë kujdes e dashuri, të cilat i kam lexuar tek pas disa ditësh sepse kisha nevojë realisht të marrë atë energji të kujdesit prej secilit meqë edhe gjendja ime emocionale pastaj për disa ditë ka qenë e rënduar shumë. Por besoj që vërehet edhe në këto momente kur po flas sërish sepse sa herë e kujtoj është pak emocionale, uroj të mos ndodhë asnjëherë”, thotë Venera.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i tha Zërit të Amerikës se viti që e lamë pas ishte më i vështiri për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në dekadën e fundit.
“Ka pasur në total në databazën tonë të regjistruara 72 raste të sulmeve, kërcënimeve, një pjesë e tyre natyrisht online, por të formave të ndryshme kundër gazetarëve. Gati gjysma e tyre kanë ndodhur në veriun e Kosovës në një periudhë vetëm pesë javore, prej fundit të majit deri në fund të qershorit. Gazetarët në Kosovë këtë vit janë sulmuar barbarisht fizikisht, mjetet e tyre të punës, kamerat, makinat me të cilat udhëtojnë për të kryer punën e tyre janë djegur, por mbi të gjitha është cenuar siguria fizike e tyre”, thotë ai.
Zoti Rexha thotë se sulme ka pasur edhe në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa thekson se ndër rastet më të rënda ishte ai ndaj gazetarit Valon Syla, i cili u sulmua në muajin prill të vitit 2023 pak pas pjesëmarrjes në një debat televiziv.
“Gjithsesi jemi të kënaqur me mënyrën se si drejtësia e ka marrë në dorë rastin dhe tashmë ka dhënë një verdikt gjykues të shkallës së parë kundër tre personave. Sulmi ndaj tij ka qenë kundër lirisë së shprehjes të cilën AGK-ja e mbron dhe shoqëria civile e mbron sepse është bazament i Kushtetutës së Kosovës”, thotë ai.
Sulme si këto dëmtojnë lirinë e medias në Kosovë, thotë zoti Rexha, e cila sipas tij, u cenua më së rëndi në 20 vitet e fundit me përpjekjet për mbylljen e televizionit Klan Kosova.
“E shohim absolutisht si një atak direkt kundër lirisë së mediave. Ne e dimë se rasti është në gjykatë dhe shpresojmë që ai të vendoset në atë formë që asnjëherë të mos jetë e mundur në Kosovë që të mbyllet një televizion”, thotë ai.
Sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë përgjatë vitit 2023 janë dënuar në shkallë të gjerë nga shoqata vendëse e ndërkombëtare të gazetarëve, por edhe përfaqësuesit e institucioneve e partive politike në Kosovë.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federata Evropiane e Gazetarëve në reagimet e tyre i kanë cilësuar sulmet si të papranueshme, ndërsa u kanë bërë thirrje autoriteteve të ndërmarrin masat e duhura për të garantuar mjedis të sigurt për gazetarët në terren.
Flutura Kusari, Juriste e së Drejtës të Medias, vlerëson se zhvillime të tilla japin një pasqyrë negative për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.“Të gjitha këto zhvillime negative janë pasqyruar edhe në raportin e progresit të Bashkimit Evropian, edhe në raportin e parë nga Këshilli i Evropës që është pjesë e vlerësimit që po i bëhet procedurës së anëtarësimit dhe janë portretizuar në shumicën e raporteve ndërkombëtare. Normalisht që secili prej nesh dëshirojmë që Kosova të shihet si një vend demokratik ku liria e shprehjes dhe medias lulëzon dhe jo e kundërta. Por për fat të keq këtë nuk e kemi parë dhe pasojat janë të tilla që ne në nivel ndërkombëtar kritikohemi dhe rangohemi me shtete në të cilat liria e shprehjes është problematike”, thotë ajo.
Përmirësimi i gjendjes është çështje e vullnetit politik sipas zonjës Kusari. Ajo rekomandon që të zbatohen standardet e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve, pluralizmin e mediave dhe luftimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) të cilat sipas saj gjithnjë e më shumë po përdoren kundër gazetarëve në Kosovë.
Në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit nga Organizata Gazetarët pa Kufij, i cili përfshin 180 vende, Kosova thuhet se ka shënuar përparim duke u radhitur në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me raportin e kaluar ku radhitej në vendin e 61-të. Megjithatë organizata e radhit Kosovën në mesin e vendeve problematike ku gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve.