“Që kur kam hapur blogun tim për promovimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, kam pasur vazhdimisht sulme në rrjetet sociale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zhaklinë Lekatari.
Ajo është një ndër aktivistet më të zëshme në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të vajzave dhe grave, e gjithashtu autore e blogut “Tabu.al”, të cilin e ka hapur shtatë vjet më parë.
Autoritetet shqiptare pranojnë se fenomeni i dhunës online është bërë shqetësim dhe se duhet adresuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në vitin 2023 kishte rritje për 40% të veprave penale në fushën e krimit kibernetik, të regjistruara nga policia.
Nga 756 vepra të tilla, 70% lidheshin me keqpërdorimin e rrjeteve sociale. Raporte të organizatave të ndryshme e evidentojnë, gjithashtu, dhunën online, me mesazhe denigruese dhe bullizuese kundër vajzave dhe grave.
“Dhunuesi patriarkal, respektimi i një sistemi të ‘nderit dhe turpit’, zakone, urdhra që vijnë nga një hierarki e mirëkonsoliduar dhe e mirëtrashëguar brenda familjes dhe ky kontroll që ndodh brez pas brezi, shfaqen në mënyrë të vazhdueshme… Dhuna virtuale është vetëm një mënyrë e re, në të cilën ky fenomen – që nuk është aspak i ri – po shfaqet fuqishëm”, thotë Lekatari.
“Që kur kam hapur blogun tim për promovimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, sulmet kanë qenë sistematike. Sa herë që dal të promovoj lirinë e të menduarit dhe të zgjedhurit, ato janë të vazhdueshme”, shton aktivistja.
Ajo tregon se i ka denoncuar të gjitha rastet në polici dhe apelon te të gjitha gratë dhe vajzat që ta bëjnë këtë gjë.
“Sigurisht që i kam denoncuar. Jam munduar t’i denoncoj të gjitha ato raste në të cilat e kam ditur se kush është dhunuesi im. Edhe kur [sulmet] kanë ardhur nga persona anonimë. Mendoj që çdo qytetar i përgjegjshëm duhet t’i çojë kauzat e veta në nivele të larta, në mënyrë që ato të bëhen precedent për raste të tjera, për gra dhe vajza të tjera”, thotë Lekatari./rel