Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka komentuar vizitën e fundit të kryeministrit Kurti në Tetovë e Çair.
Ai ka thënë se rruga Tetovë-Prizren mund të realizohet vetëm nga qeveritë e të dyja shteteve.
Sipas tij, Kurti është keqpërdorur për politika ditore nga kryetarët e Tetovës dhe Çairit.
Tutje, duke folur për idenë e “Shqipërisë së Madhe” ai ka thënë se konceptet për shtetet e mëdha kanë mbaruar në Ballkan.
“Kjo rrugë, ka të bëjë me një ide, që daton shumë më herët se sa vizita e kryeministrit të Kosovës Kurti në komunat e Çairit dhe Tetovës, ku mendoj se ai u keqpërdor, të jem i sinqertë, për pikë të politikës ditore, të këtyre dy krerëve të komunave, të cilët duan që të etablohen në skenën politike. Filluan të flasin për shtete të mëdha, por këtu ka dy qeveri të cilat janë pjesë e aleancës më të madhe NATO, kështu që konceptet arkaike nga epoka e romantizmit nacional për shtete të mëdha, kanë mbaruar në Ballkan. Këtë e ka thënë qartë ambasadori amerikan në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe cilido politikan i atij kalibri. Kjo është punë e kryer. Ne jemi vend anëtar i NATO-s,” deklaroi Kovaçevski.