Komisioni i Pavarur për Media sot në mbledhjen e mbajtur ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë.
Me 64 mijë euro është dënuar operatori ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatori ‘Kujtesa’, me 7 mijë ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro ‘Telkos’.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se këto gjobitje kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.
“Ne si KPM kemi obligime, ashtu siç e thotë ligji se nëse shohim që ka shkelje të rregulloreve ne duhet të adresojmë çështjet….”, tha ai.
“Jemi duke u ballafaquar me një dukuri që ka ndodhur edhe vite më parë ku qytetarët kanë bërë ankesa për largim të disa pakove televizive pa paralajmërim nga operatorët e shpërndarjes me të cilët qytetarët kanë pasur kontrata”, tha më tej Mehmeti, duke shtuar se rregullorja parasheh që qytetarët 30 ditë përpara duhet të njoftohen se diçka do të ndryshojë nga pakoja për të cilën kanë paguar.