Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KQZ cakton afatin, fton LVV-në e PDK-në të kërkojnë akreditim për ta vëzhguar votimin për largimin e kryetarëve të veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka njoftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës për afatin për t’i dorëzuar kërkesat e tyre për akreditim për vëzhgimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do të mbahet më 21 prill.

Në proces kanë të drejtë të kërkojnë akreditim edhe OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare e organizatat ndërkombëtare të specializuara për zgjedhje.

Përmes një komunikate për medie, KQZ bëri të ditur se afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve fillon më 1 prill 2024 dhe përfundon më 15 prill 2024.

Në komunikatë bëhet e ditur edhe se vetëm vëzhguesve të akredituar do t’u lejohet qasja në hapësirat ku organizohet votimi “Për apo kundër, largimit të kryetarëve në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”.

“Formularët për akreditim të vëzhguesve mund t’i merrni në ueb-faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org, apo në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Për informata shtesë, mund të kontaktoni në tel. 038 200 81 010”, thuhet në komunikatë.