Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KQZ: Ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

 
   

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2024.

Gjatë kësaj periudhe 120 ditore (29 gusht – 26 dhjetor 2024), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;

duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

Informacionet më të detajuara janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Votuesit > Votimi jashtë Kosovës, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Lista e përfaqësive diplomatike të cilat do të shërbejnë si Qendra Votimi më 8 shkurt 2025 dhe në të cilat do të mund të votojnë shtetasit që arrijnë të regjistrohen suksesshëm për votimin në përfaqësi diplomatike është publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Njoftime > Lajme, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/lista-e-qendrave-te-votimit-per-cdo-perfaqesi-diplomatike-dhe-numri-maksimal-i-votuesve-ne-secilen-prej-tyre

KQZ, në një fazë të mëvonshme të procesit zgjedhor, do të publikojë adresat e kutive postare të hapura jashtë Kosovës përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.