Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi: Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se e gjithë ngjarja ka qenë e orkestruar, përkatësisht me prapavi nga Qeveria Kurti.

“PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht“, ka shkruar Krasniqi.

Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës.

Kjo tendencë e Qeverisë, duke i sulmuar në mënyrë të paprecedentë deputetët tanë, përveç dëshirës së tyre për të shtypur opozitën, në prapavijë ka edhe dy qëllime të tjera.

E para: Që përmes një skandali tjetër, të mbuloj dhe të tërheqë vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

E dyta: Të mbuloj tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë.

Natyrisht, duke mos e anashkaluar e as harruar këtë sulm të paprecedentë ndaj deputetëve, ne nuk do ta largojmë vëmendjen nga tema kryesore e cila ka vënë në panik këtë Qeveri: bashkëpunimi i fshehtë me Milan Radojçiqin!

PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht.

Çfarë pazaresh ka bërë kjo Qeveri me Radojçiqin në emër të Kosovës?

Çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë kjo Qeveri nga Radojçiqi?

Çfarë dëmi i është bërë Kosovës dhe qytetarëve tanë përmes kësaj marrëveshjeje e bashkëpunimi të fshehtë, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të vendit?

Këto dhe të gjitha pyetjet tjera do të marrin përgjigje. Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila, Besnik Bislmi dhe të gjithë të tjerët që janë përfshirë në pazare të turpshme me Milan Radojçiqin, duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve.

Një gjë është është e sigurt: Kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sa më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja që sjellin një Qeveri ndryshe – të përgjegjshme e të besueshme dhe që e rikthen rrugëtimin e vendit në kursin e integrimit euro-atlantik dhe pro-perëndimor!