Analisti Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj fjalimit të Presidentit serb Aleksandar Vuçiqi, duke thënë se ai ka paraqitur mesazhe luftënxitëse më shumë se kurrë më parë. Sipas Krasniqit, fjalimi ishte një skenar i përgatitur për të nxitur emocione dhe urrejtjen e serbëve kundër shqiptarëve dhe për të përgatitur terrenin për hakmarrje në Kosovë.
Krasniqi thekson se fjalimi i Vuçiqit fillonte me përshkrimin e “vuajtjeve” të fëmijëve serbë që, sipas tij, gjoja ishin shkaktuar nga policia e Kosovës. Kjo taktikë, sipas tij, i ngjante propagandës së viteve 90 për “zullumin e shqiptarëve”.
Analisti Krasniqi vlerëson se, megjithëse ka elemente propagande në fjalimin e Vuçiqit, ka edhe një seriozitet në politikën e konfliktit që ai shpalos. Sipas tij, një konflikt i tillë në Kosovë do të ndihmonte qeverinë serbe të frenonte lëvizjen revolucionare që po konsolidohet me shpejtësi kundër tij në Serbi.
Ai shton se Serbia nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në një konflikt të tillë në Kosovë, por mund të ndihmojë strukturat paramilitare serbe brenda territorit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Paraqitja e sotme e Vuçiqit ishte me mesazhe luftënxitëse më shumë se kurdoherë deri sot. Ishte skenar për të nxitë emocione dhe urrejtjen e serbëve kundër shqiptarëve dhe për përgatitje për hakmarrje në Kosovë. Në fillim ai përshkroi “vuajtjet” e fëmijëve serb që gjoja ua ka shkaktuar policia e Kosovës. Ishte krejt ngjashëm me propagandën e viteve 90 për “zullumin e shqiptarëve.” Pastaj akuzoi rëndë komunitetin ndërkombëtar, duke i quajtur gënjeshtar, mashtrues, palë me Prishtinën.
Mesazhet që dha në fund janë hapa konkret drejt konflikti civil të armatosur në Kosovë: 1. në Vidovdan mund të shpallet autonomia e serbëve, ose shkëputja e veriut. 2. Dialogu nuk ka më kuptim. 3. Policët e kidnapuar nuk lirohen./
Konkludimi im: kishte elemente propagande në fjalimin e tij. Por edhe seriozitet në atë që shpalosi si politikë e konfliktit. Pse kishte seriozitet? Sepse konflikti në Kosovë, ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës i duhet për ta amortizuar disi lëvizjen revolucionare që po konsolidohet me shpejtësi kundër tij në Serbi. Në një konflikt të tillë në Kosovë Serbia nuk futet direkt, por mund të ndihmojë strukturat paramilitare serbe brenda territorit të Kosovës.
Se deri ku mund të shkojë politika luftënxitëse e Vuçiqit, mbetet të shihet më 28 qershor. Por që e shpalli sot konfliktin si objektiv, kjo është e sigurt.