E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi – Goodman, ka folur për ekspozitën në Hagë, me anë të së cilës kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.
Ajo tha se në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë rreth 26 shtete
“Është një ekspozitë shumë e mirë, ne kërkojmë drejtësi, ku ka më mirë të kërkojmë drejtësi në Hagë. Kemi pasur diskutime të ndryshme me viktima prej shtete të ndryshme, kanë marrë pjesë 26 shtete”, tha ajo.
Ajo ritheksoi se viktimat e dhunës seksuale nuk duhet të ndihen fajtore dhe se shoqëria duhet t’i mbështesë pa kushte.
“Po vazhdojmë duke kërku drejtësi, duke kërku përkrahje të shoqërisë dhe familjes, ta thejmë stigmën në Kosovë e tërë botën, viktimat të mos ndjehen të vetme, nuk ka qenë faji jonë çka na ka ndodhë. Kemi viktima që bëjnë vetëvrasje është barrë e madhe të jetojmë e vetme pa folur për atë se cka ka ndodhë”, tha ajo.
Krasniqi – Goodman, u shpreh se duhet vetëdijesim i familjes, institucioneve e shkollave në mënyrë që gratë e dhunuara gjatë luftës të mos stigmatizohen.
“Na duhet vetëdijesim në familje e institucione e në shkolla, ta kemi përkrahjen e të gjithëve të mos stigmatizohemi si përpare, dhe në fund është drejtësia, të luftojmë për drejtësi. Janë bërë 25 vite vetëm një person është dënu”, tha ajo.