Investimet e diasporës janë thelbësore për zhvillimin dhe rritjen e vendeve të origjinës. Është e domosdoshme të kanalizohen burimet financiare dhe njerëzore të diasporës në investime produktive në vendin e origjinës dhe ky objektiv është në qendër të punës së GERMIN e cila është një organizatë joqeveritare.
Lirim Krasniqi, bashkëdrejtor ekzekutiv në Germin, tha se ndikimi i diasporës në Kosovë është shumë i madh.
“Është e vërtetë që ndikimi i diasporës në shumë fusha është shumë i madh në Kosovë, ne kemi fatin që kemi pasur një trend të rritjes së remitancave, por edhe të investimeve që vijnë nga jashtë në këtë rast edhe nga diaspora”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, shqetësimet e biznesmenëve nga diaspora janë për disa arsye, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, si dhe problemet burokratike.
“Ne e kemi realizuar në fund të vitit të kaluar një anketë me mbi 540 biznese nga diaspora, të cilat i kemi intervistuar drejtpërdrejt. Shumica prej tyre i shohin problemet burokratike dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë si shqetësim kryesor. Kjo çështje nuk është vetëm problem i diasporës; këtë problem e kemi edhe ne. Nuk kemi arritur të krijojmë një sistem të drejtësisë funksional, i cili i zgjidh çështjet në një kohë të arsyeshme. Nuk është se problemet nuk zgjidhen, por kërkojnë shumë kohë dhe kjo nuk u përshtatet biznesmenëve,” tha Krasniqi.