Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi: Përpjekja e Qeverisë për ta paraqitur Kushtetuesen si rivale e dëmton demokracinë në vend

 
   

Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ashpër kur nga deputetët e opozitës i është përmendur mundësia e çuarjes në Kushtetuese të Ligjit për KPM-në.

Bislimi ka thënë se Gjykata Kushtetuese s’mund të shihet si një institucion paralel me Qeverinë dhe se dihet që rolet i kanë të ndara. Bislimi tutje ka thënë se Kushtetuesja për të marrë vendime sa i përket koeficientit të pagave dhe rreth asaj se sa anëtarë duhet t’i ketë KMP, atëherë duhet të dalë të kërkojë vota si Gjykatë Kushtetuese për ta bërë pastaj qeverinë.

Ndaj kësaj gjuhet të zëvendëskryeministrit Bislimi ka reaguar anëtari i shoqërisë civile, Albert Krasniqi. Ai ka thënë se këto sulmet të zyrtarëve të Qeverisë ndaj Kushtetuese duhet të ndalen menjëherë.

Sipas Krasniqit, përpjekja e Bislimit për ta paraqitur Kushtetuesen si një rival të Qeverisë është e dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues në vend.

Ai në fund ka thënë se Kushtetuesja është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe nganjëherë edhe qëllimkëqija.

“Sulmet e organizuara ndaj Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët e Qeverisë duhet të ndalen menjëherë!

Përpjekjet për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe për ta paraqitur atë si një rival të Qeverisë janë të dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues të Republikës. Gjykata nuk është parti politike opozitare që synon të fitojë vota, por është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe, ndonjëherë, qëllimkëqija”, ka shkruar Krasniqi.